Letra Nr. 13 Për familjen.

Ndaje

Familja është vendi ku dashuria fillon dhe kurrë nuk përfundon. Sot dua të shkruaj për familjen, jo vetëm për ata me të cilët ndajmë gjak, por për ata njerëz që na mbajnë të lidhur, që na kuptojnë edhe kur heshtim, që qëndrojnë pranë nesh edhe kur bota duket e pamëshirshme. Kam vënë re se shpesh marrim gjërat e familjes për të mirëqena. Një shikim i dashur nga prindërit, një fjalë mbështetëse nga motra ose vëllai, një përqafim i heshtur kur je i trishtuar , të gjitha këto janë dhurata të vogla, por me peshë të jashtëzakonshme.
Psikologët na kujtojnë se lidhjet familjare janë një nga burimet më të fuqishme të qëndrueshmërisë emocionale. Ato na japin ndjesinë e përkatësisë, sigurinë dhe aftësinë për të përballuar sfidat e jetës. Dhe sot ndjeva mirënjohje për një telefonatë me mamanë time,për bisedën e gjatë me babain, për një shaka të thjeshtë me vëllain dhe motrën time. Ndjeva se zemra ime u mbush nga një ngrohtësi që nuk ka nevojë për fjalë. Çdo gjest i vogël, çdo kujtim i thjeshtë, çdo shprehje e dashurisë, janë gurët mbi të cilët ndërtohet besimi dhe siguria ime.Familja nuk është gjithmonë perfekte, ka mosmarrëveshje, keqkuptime, momente që na testojnë durimin
por edhe në ato momente kuptoj se dashuria e vërtetë është ajo që qëndron edhe kur nuk duket, ajo që fal, pranon dhe mban bashkë.Ajo është ngjyrë që bën jetën më të ngrohtë, edhe kur ditët janë të zymta. Kur shkruaj këto rreshta, ndjej se familja është më shumë se një koncept,është një energji e brendshme që na mban të lidhur me rrënjët tona dhe me njerëzit që na duan pa kushte.Ajo na mëson durim, empati, dhe rëndësinë e pranimit të njëri-tjetrit.Në heshtje, familja është ajo forcë që na mban të fortë, që na kujton se nuk jemi kurrë vetëm.
Deri në letrën tjetër, Unë…

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit