Sot, teksa mbaja në duar librin “Mëso të jetosh” të Senekës, më erdhi ajo ndjesia e zbehtë por e fuqishme e një takimi të papritur me veten. Jo me veten që të gjithë shohin , nënën, gruan, profesionisten, miken, kolegen, njeriun e rritur e të formuar, por me atë pjesën time të brendshme që ende kërkon të mësojë, të kuptojë dhe të zgjerohet më shumë. Ka një butësi të veçantë kur e hap një libër që të pret prej ditësh. Në zhurmën e botës, ai është një dritare që ndriçon ngadalë, si kur ndez një llambë në një dhomë ku ka kohë që s’ke hyrë. M’u duk sikur faqet më flisnin me një zë të qetë, me atë qetësinë që të rrit përsëri ndonëse ke kaluar shumë stacione të jetës.
Kam arritur shumë, një familje të madhe, të bukur dhe një jetë profesionale që e kam ndërtuar me duar, me orë, me përkushtim. Kam dy djem të mrekullueshëm që janë vetë frymëzim e megjithatë ka ditë kur e gjej veten midis dy botëve. Asaj që kam ndërtuar dhe botës që ende dua të zbuloj. Seneka thotë se njeriu duhet të mësojë të jetojë përpara se ta kërkojë lumturinë e të them të drejtën në fillim m’u duk një fjali e thjeshtë. Pastaj kuptova sa e ndërlikuar është, sepse të mësosh të jetosh do të thotë të mësosh të mos humbësh kohën, të mos e marrësh veten si të mirëqenë, të mos e harrosh shpirtin tënd pas përgjegjësive, pas vrapit, pas listave të pafundme të ditëve. Në këtë moshë, më shumë se kurrë, ndiej sa e shtrenjtë është koha. Jo koha në orë e minuta, por koha e qetësisë, koha e pranisë, koha e të qënit mirë brenda vetes. Ashtu siç mësoj fëmijët e mi të ecin me zemër të çliruar, tani po mësoj edhe veten time të ecë më butë, më ngadalë, më me qartësi dhe ndoshta për këtë arsye kjo letër është kaq e rëndësishme për mua sot. Po i jap vetes kohë,po i jap vetes leje, po i jap vetes dashuri. Jam 54 vjeçe dhe ende rritem, ende pyes, ende habitem,ende lexoj, sepse librat më mësojnë atë që jeta shpesh e thotë me zë shumë të ulët,se qetësia nuk vjen duke ikur nga jeta por duke hyrë më thellë në të. Sot dua t’i premtoj vetes me zë të ulët, por të vërtetë se do të jetoj më me kujdes,më me zemër. Do t’i fal kohë shpirtit tim për t’u zgjeruar, si faqet e një libri që hapen ngadalë, pa ngut, duke më mësuar çdo ditë një mënyrë të re për të ekzistuar. Deri te letra tjetër, Unë, që mësova sot pak më shumë të jetoj.
Ndaje
