Kur shpifja bëhet institucion brenda institucionit. Sot, një letër anonime rrëzoi një jetë pune dhe përkushtimi. Ishte e dhimbshme ta dëgjoje. Për këtë arsye, heshtja nuk është opsion. Ka kohë që një “institucion i padukshëm” po vepron me ndikim më të madh sesa bordet, komisionet, drejtuesit dhe vetë ligjet, letra anonime. Një copë letër, një zarf i hedhur fshehurazi, që sot mund të lëvizë poste, të rrëzojë drejtues, të helmojë marrëdhënie pune, të përçajë kolektive dhe të nëpërkëmbë figura të ndërtuara me vite përkushtimi dhe dinjitet. Letra anonime është bërë një “sistem” më vete, një mekanizëm i heshtur, por i përhershëm, që nuk flet me fakte, nuk ballafaqohet me të vërtetën, nuk ka kurajë të flasë publikisht por godet poshtë brezit, pa përgjegjësi. Dhe ç’është më tragjike është se institucione të tëra po e marrin seriozisht e po i japin peshë shpesh më shumë sesa ankesave të sinqerta apo dialogut të hapur. Kjo është një krizë. Një sëmundje morale që ka gjetur strehë në çdo strukturë ku njerëzit luftojnë për karrige, dhe jo për vlerë. Letra anonime është bërë valixhja e fshehtë e ambicieve të ulëta dhe armiqësive personale. Ajo nuk është më një akt i rrallë i ndonjë frikacaku por po merr trajtat e një rruge të zakonshme për të eliminuar tjetrin dhe për të ngritur veten. Por çfarë i thotë kjo një shoqërie? Kur një institucion nuk reagon ndaj profesionalizmit, ndaj rezultateve, ndaj transparencës, por lëkundet nga një letër pa autor atëherë ai institucion ka dështuar në misionin e tij. Ka tradhtuar thelbin. Ka lejuar që shpifja të bëhet kriter dhe që frikacakët të udhëheqin vendimmarrjen. Në diktaturë, letrat anonime ishin armë e pushtetit. Sot, janë vegla të interesit personal. Por në thelb, qëllimi mbetet i njëjtë, të frikësosh, të dëmtohesh, të rrëzosh tjetrin në mënyrë të ulët dhe të sigurt. Por deri kur keshtu? Nuk ndërtohet drejtësia mbi shpifjen. Nuk ndërtohet morali mbi frikën. Nuk ka institucion të vërtetë aty ku sundon letër-mashtrimi.
