Lartësitë e stuhishme të Emily Brontë.

Ndaje

Në përkthimin e ndjeshëm të Amik Kasoruhos

Ka romane që tregojnë histori dashurie dhe ka romane që janë vetë një stuhi dashurie. “Lartësitë e stuhishme” e Emily Bronte-s nuk është thjesht një rrëfim për dy zemra të dëshpëruara por një shpërthim i gjithçkaje që njeriu mban brenda, pasionit, dhimbjes, krenarisë dhe mallkimit për të dashuruar deri në shkatërrim. Në duart e Amik Kasoruhos, kjo vepër merr një frymë të re, të qartë dhe të pastër si ajri i kodrave angleze ku ndodh historia. Fjalët e Brontës rrjedhin shqip me një finesë që ruan melodinë e origjinalit, por i jep edhe një ndjesi intime që e afron lexuesin shqiptar me shpirtin e Heathcliff-it dhe Catherine Earnshaw , dy figura që nuk njihnin kufij midis dashurisë dhe dhimbjes. Në thelb, ky roman është një kryqëzim mes natyrës njerëzore dhe vetë natyrës së egër. Kodrat e Jorkshirit janë më shumë se një peizazh, ato frymojnë me personazhet, ngrijnë me ta por dhe stuhiten me ta. Brontë i ka dhënë dashurisë formën e një elementi të pamposhtur, ashtu si era, si shiu, si zjarri që nuk shuhet kurrë plotësisht. Por më shumë se një histori dashurie, “Lartësitë e stuhishme” është një rrëfim për ndëshkimin e shpirtit njerëzor kur dashuria kthehet në zotërim, kur dëshira humb butësinë dhe lind nga ajo një forcë që as koha, as vdekja nuk e shuajnë. Heathcliff është përfaqësimi i dhimbjes që nuk gjen paqe ndërsa Catherine është pasqyra e shpirtit që kërkon qiellin por mbetet peng në tokë. Në përkthimin e Kasoruhos, çdo fjali tingëllon si një frymëmarrje e gjatë e stuhisë. Ai nuk e tradhton melodinë e Brontës por e përkthen me një ndjeshmëri që e bën lexuesin të ndjejë erën, baltën, zemërimin dhe mallin që mbush këtë roman. Përkthimi i tij nuk është një përpjekje gjuhësore por një akt dashurie ndaj letërsisë , një përulje ndaj madhështisë së Brontës. Në një kohë kur dashuritë rrallë thellohen dhe shpesh konsumohen shpejt, “Lartësitë e stuhishme “ vjen si një kujtesë e fortë, se dashuria e vërtetë nuk është e qetë por e thellë, nuk është e butë por e vërtetë, nuk kërkon të zotërojë por të qëndrojë përtej çdo gjëje. Lexojeni miqtë e mi përsëri këtë libër , ndoshta jo për të gjetur një histori, por për të dëgjuar shpirtin e vetë njeriut që ulërin mes erërave të ekzistencës.
Sepse, siç do të thoshte Emily Brontë në heshtje, njeriu nuk lind për të jetuar në paqe por për të dashuruar me stuhinë brenda tij.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit