Më 5 qershor, bota kremtoi Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit. Në Shqipëri u shpërndanë urime, statuse institucionale, slogane për “të ardhmen e gjelbër”, “ajrin e pastër”, “dashurinë për natyrën”. Vetëm dy ditë më pas, më 7 qershor, Vlora u zgjua e mbytur në tym, me qiellin e nxirë nga flakët dhe retë toksike që ngriheshin nga ish-fusha e aviacionit, një nga pikat më të ndotura dhe më të neglizhuara të qytetit. Nuk është hera e parë. Nuk është as më e rënda. Por është ndoshta më ironikja, ndodhi vetëm 48 orë pasi na u kujtua kolektivisht që duhet të “mbrojmë mjedisin”. Ky nuk është vetëm tym. Është urrejtje ndaj ajrit Djegia e mbetjeve në këtë zonë është e përhershme. Flakët janë të zakonshme, tymi është kronik, era e rëndë ka kohë që nuk është më “incident”, por normalitet i heshtur. Dhe kjo nuk është vetëm ndotje ajri. Është shkelje e të drejtës për jetë, është krim mjedisor që përsëritet përditë pa asnjë ndëshkim. Banorët nuk informohen. Nuk ka paralajmërim. Nuk ka ndërhyrje. Nuk ka kontroll. Vetëm tym, vetëm djegie, vetëm heshtje.
Kush ka lirinë të veprojë kështu?
A mundet një qytetar i thjeshtë të shkaktojë ndotje masive dhe të largohet si asgjë të mos ketë ndodhur? A ka ndonjë kompani apo grup që përfiton nga djegia? A është kjo zonë jashtë çdo kompetence ligjore dhe kontrolli institucional? Këto pyetje kanë kohë që bëhen, por askush nuk përgjigjet. Sepse djegia vazhdon. Ajri zihet. Mushkëritë sëmuren. E institucionet… heshtin.
Përse nuk kontrollohet kjo zonë?
Aty digjet gjithmonë diçka. Ish-fusha e aviacionit është kthyer në shtëpi të flakëve dhe erës toksike. Nuk Ka kamera. Nuk Ka polici. Nuk Ka institucione përgjegjëse. Nuk ka asnjë kontroll real, as masa parandaluese, as dënime publike. Pse? Kush mbron çfarë? Nëse kjo është “e përhershme”, atëherë pse e kemi normalizuar? Pse një qytet i tërë duhet të thithë pasojat e mungesës së reagimit? Në emër të kujt po mbytet Vlora me tym? Vlora ka nevojë për frymë. Jo për tym ndaj Kërkohet veprim institucional, hetim serioz dhe ndëshkim konkret për çdo përgjegjës. Duhet ndalimi i menjëhershëm i djegieve në këtë zonë, pastrim i plotë, monitorim 24/7 dhe transparence mbi te gjitha veprimet publike që lidhen me këtë territor. Ajri nuk është luks. Është e drejtë njerezore !
