Kush mund t’i rezistojë çokollatës?

Ndaje

E dini që sot është Dita Botërore e Çokollatës? Një ditë që më duket si një ftesë për të ndalur, për të marrë frymë thellë dhe për t’u përqafuar me atë copë magjie të ëmbël që ngroh shpirtin dhe buzëqesh jetën. Në këtë botë ka dy lloj njerëzish.Ata që e duan çokollatën dhe ata që e urrejnë atë. Unë? Unë e dua. Me shpirt, me zemër, me gjithë qelizat e mia që fillojnë të kërcejnë sa herë dëgjoj trokitjen e ambalazhit të artë që hapet. Nuk bëj diferencime snobësh. Të zezë, me lajthi, me qumësht, me arra, me krem. Për mua të gjitha janë dashuri të vërteta.Shpesh i blej vetë, shpesh më dhurojnë. Po deshe të më kthesh humorin shumë thjesht një çokollatë! Çokollata nuk të tradhton. Nuk të gjykon. Nuk të thotë kurrë: “Ti je në dietë, mos harro!”. Jo, jo. Çokollata është mikja më besnike që mund të kesh. E dini? Dashuria ime për të nuk ka nisur dje. Ka rrënjë të thella që më çojnë shumë vite pas, te shtëpia e gjyshërve të mi në Varrosh , një vilicë e bardhë, njëkatëshe, që për mua ishte si pallat princeshash, me një oborr të madh, plot pemë që përkuleshin nga pesha e frutave dhe lule. trëndafilishumëngjyrëshe që çelnin me një krenari mbretërore. Dera e hekurt me kangjella hapej gjithmonë me një zhurmë që më dukej si muzikë, dhe në fund të asaj rrugice të hollë më priste gjithmonë Papu Dhosi , me sytë që qeshnin dhe me çokollatën që e nxirrte nga xhepi si të ishte ndonjë magjistar i ëmbëlsirave. Kush mund ta harrojë atë ndjesi? Ishte lumturia ime e pastër,një përqafim, një çokollatë dhe një kujtim që më ka mbetur në zemër përgjithmonë. Sigurisht, koha ka kaluar, kam shtuar ndonjë kile këtej-andej, përpiqem të jem më e kujdesshme, por jo dhe aq sa të heq dorë nga çokollata. Sepse sa herë më del përpara, më kujtohet oborri me trëndafila, papu Dhosi dhe dashuria e thjeshtë e një copë çokollate që shkrinte çdo pengesë. Ka njerëz që thonë se nuk e pëlqejnë cokollatën. Më falni, por këta njerëz më cudisin.Janë ose të trishtuar, ose alienë, ose thjesht të rrezikshëm. Sepse kushdo që e ka shijuar qoftë edhe një copë të vogël çokollate, e di që ajo shkrin jo vetëm në gojë, por edhe në shpirt.Ashtu si në filmin “Chocolat”, ku një dyqan çokollate shkrin zemrat më të ftohta, edhe unë besoj se bota do të ishte më e mirë me më shumë çokollatë dhe më pak nerva.Cokollata të qetëson, të ngroh, të rikthen buzëqeshjen dhe të thotë pa fjalë,” Mos u bëj shumë serioze. Merr një copë dhe qetësohu!” Kështu që sot,më 7 korrik, në Ditën Botërore të Cokollatës,unë nuk do të numëroj kalori. Do të numëroj copat e çokollatës, do të kujtoj Papu Dhosin dhe atë vilicë të bardhë në Varrosh që më mbush me aromën e kujtimeve të paharrueshme. Sepse jeta, në fund të fundit, është si çokollata, më e ëmbël kur e shijon me zemër të hapur dhe me dashuri të thellë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit