Nuk ishte thjesht një moment i trishtë në Instagram. Ishte një pasqyrë. Një pasqyrë ku shumë prindër mund të shohin pa dashur veten. Sepse fëmijët nuk qajnë vetëm kur rrëzohen, ata qajnë edhe kur ndihen të padëgjuar, të pavlerësuar, të refuzuar. Ne shpesh mendojmë se fjalët tona ikin bashkë me momentin. Por kur i thuhet një fëmije se ti s’vlen, je i papërgjegjshëm apo mos më dil para syve tani , fjalët nuk ikin, nuk harrohen. Ato qëndrojnë. Rrënjosen. Bëhen pjesë e zërit të brendshëm të fëmijës. Dhe më e rënda? Ai nuk ndalon së dashuri prindin. Ai ndalon së dashuri veten. Fëmijët nuk kërkojnë përsosmëri por kërkojnë ndjeshmëri. Një fëmijë nuk ka nevojë për prindin më të ditur, më të pasur apo më të suksesshëm. Ka nevojë për prind të dashur, që shikon përtej sjelljes, që kupton se prapa një reagimi të keq fshihet një ndjenjë e papërballuar. Ka nevojë për dikë që ul tonin, që ulet në gjunjë për të dëgjuar të thotë se jam këtu, edhe kur je i mërzitur. Edhe kur nuk e ke bërë mirë. Të gjithë gabojmë. Të gjithë lodhemi. Por një fëmijë nuk e kupton këtë lodhje. Ai lexon fytyrën tënde. Tonin tënd. Heshtjen tënde. Dhe nga këto ndërton idenë e vetes. Të dashur prindër! Jepuni fëmijëve më shumë nga koha juaj. Jepuni më shumë përqafime sesa kritika. Më shumë fjalë që i lartësojnë sesa lëndojnë.Më shumë vëmendje sesa dhurata. Më shumë praninë tuaj sesa telefona në dorë. Sepse një ditë, fëmija që dëgjon nga ti “besoj te ti”, do të rritet me guximin për të ëndërruar. Kurse ai që dëgjon “nuk bën asgjë si duhet”, do të luftojë gjithë jetën për të provuar veten ose do të dorëzohet pa e nisur fare luftën. Të dashur prindër të rinj, Fëmijët nuk janë projekt. Janë zemra që kërkojnë vend të sigurt. Edhe në gabim. Edhe në rrëmujë. Edhe në zhurmë. Fjalët tuaja janë jetë. Zgjidhni t’i përdorni me dashuri.
