Kur ora bie 06:20 është ai çasti i vogël dhe mizor ku çdo tingull i alarmit më duket si një betejë mes shpirtit tim dhe realitetit. Unë jam njeri që e dua mëngjesin por vetëm në teori sepse në praktikë mëngjesi dhe unë jemi si dy fqinj që e përshëndesin njëri-tjetrin me mirësjellje por që s’duan të takohen shpesh. Prandaj, kur vjen koha dimërore, si sot, unë jam e lumtur sepse ndryshimi i orës është shpëtimi im sezonal. Më fal aq bukur një orë më shumë gjumë, një dhuratë qiellore për të gjithë ata që nuk janë rritur kurrë mjaftueshëm për t’u bërë “njerëz të mëngjesit”. Por le ta themi troç, zgjimi herët mund të jetë i shëndetshëm por nuk është gjithmonë njerëzor. Në këtë periudhë, kur akrepi kthehet një orë pas, është sikur koha vetë na merr në mbrojtje, “Ja, merrni një orë më shumë, e meritoni pas gjithë këtyre ditëve që keni vrapuar pa pushim.” Dhe unë e marr me kënaqësi. Nuk më intereson as pse, as për sa kohë vetëm një orë më shumë pa alarm, pa ankth, pa kafe të nxehtë që më duket si serum mbijetese. Jam e sigurt që nuk jam e vetme. Përveç fëmijëve që e adhurojnë gjumin ka plot njerëz si unë që e përqafojnë errësirën e ëmbël të mëngjesit, atë pesëminutëshin e famshëm që zgjat gjysmë ore. Por pastaj, ironia e bukur e jetës është se ne fitojmë një orë gjumë por dita na shkurtohet. Errësira vjen më herët, rrugët zhyten në gri dhe dielli bëhet më koprrac me dritën e tij. Megjithatë, unë sërish e dua këtë stinë. Ka diçka poetike në të. Ka një ritëm më të qetë, një aromë kafeje më të thellë, një nevojë më të ndjerë për ngrohtësi. Koha dimërore më mëson një gjë të vogël por të vlefshme se ndonjëherë, të ngadalësosh nuk është humbje kohe por mënyra më e mirë për të mos harruar veten. Prandaj, nëse ora të fton të flesh pak më gjatë, mos e kundërshto. Koha vjen e ikën, por ato minuta të ëmbla para se të fillojë dita janë luks i shpirtit. Sepse ndonjëherë, lumturia është thjesht të shtrihesh edhe pak, të dëgjosh rrahjen e zemrës dhe të thuash me gjysmë zëri “ edhe pesë minuta të vogla më fal o botë.”
