Ne e kujtojmë frymëmarrjen zakonisht vetëm atëherë kur ajo na mungon.Për sa kohë marrim frymë lirshëm, mushkëritë mbeten një prej atyre mrekullive të heshtura të trupit që punojnë pa kërkuar vëmendje, pa zhurmë, pa pushim. Marrim frymë ndërsa ecim, flasim, qeshim, flemë, punojmë, duam dhe planifikojmë të nesërmen, pa menduar se pas çdo frymëmarrjeje fshihet një proces jetik që i jep oksigjen çdo qelize të trupit. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, mushkëritë janë ndër organet që i kujtojmë më pak, derisa një kollë e zgjatur, një vështirësi në frymëmarrje apo një lodhje e pazakontë na detyron të ndalemi dhe të pyesim veten:
A po kujdesem vërtet për ajrin që marr? Shëndeti i mushkërive nuk lidhet vetëm me sëmundjen, por me mënyrën se si jetojmë dhe, mbi të gjitha, me mjedisin në të cilin jetojmë. OBSH thekson se cilësia e ajrit, tymi i duhanit, ndotja e brendshme dhe e jashtme, ekspozimi profesional ndaj pluhurave, gazeve dhe substancave kimike, si edhe infeksionet respiratore, ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e mushkërive dhe këtu, çështja e mushkërive del nga mjekësia dhe bëhet çështje shoqërore,sepse nuk mjafton t’i themi individit mos pi duhan, kujdesu për veten, bëj kontrolle por të pyesim edhe se çfarë ajri po i ofrojmë atij individi për të marrë frymë. Ajri i ndotur nuk shihet gjithmonë, nuk ka gjithmonë ngjyrë, erë apo zhurmë dhe kjo e bën më të rrezikshëm. Ajo që nuk e shohim mund të jetë duke hyrë në mushkëritë tona çdo ditë. Në vitin 2025, Asambleja Botërore e Shëndetësisë miratoi rezolutën e parë për një qasje të integruar ndaj shëndetit të mushkërive, duke vënë në qendër parandalimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimin dhe faktorët e rrezikut, përfshirë duhanin dhe ndotjen e ajrit. Shifrat tregojnë edhe peshën e problemit. Sipas OBSH-së, sëmundja pulmonare obstruktive kronike shkaktoi rreth 3.4 milionë vdekje në vitin 2023, ndërsa kanceri i mushkërive mbetet kanceri më i shpeshtë në botë dhe shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri.Por statistikat, sado të mëdha, nuk duhet të na bëjnë të harrojmë njeriun.Pas çdo numri është një nënë që merr frymë me vështirësi, një baba që nuk mund të ecë si më parë, një i ri që përballet me një sëmundje të parandalueshme, një familje që pret një përgjigje mjekësore, një punëtor që ka kaluar vite në një mjedis me pluhur apo substanca të dëmshme.Prandaj Dita Botërore e Mushkërive nuk duhet të jetë vetëm një datë në kalendar por një kujtesë për të mos e marrë frymëmarrjen si diçka të garantuar. Të kujdesemi për mushkëritë do të thotë të kujdesemi për trupin, por edhe për qytetin, për ajrin, për vendin ku punojmë, për fëmijët që rriten pranë nesh dhe për të drejtën e secilit për të marrë frymë në një mjedis më të shëndetshëm.
Frymëmarja është gjëja më e thjeshtë që bëjmë dhe njëkohësisht një nga gjërat më të çmuara që kemi dhe ndoshta sot, para se të kalojmë te lajmi tjetër, te telefoni tjetër, te nxitimi tjetër, mjafton të ndalemi për pak sekonda dhe të marrim frymë thellë.Sepse ndonjëherë shëndetin e kuptojmë më mirë jo kur na dhemb diçka, por kur kuptojmë sa shumë vlen ajo që deri dje e konsideronim të padukshme.Ajri. Fryma. Jeta.
Ndaje
