Kur fjala bëhet flamur

Ndaje

Në kujtim të veprës së pavdekshme të At’ Gjergj Fishtës Në historinë e popujve nuk janë të shumtë ata që kanë arritur të ndërtojnë një komb me armën më të fuqishme që ekziston, fjalën.
Njëri prej tyre është Gjergj Fishta, figura monumentale e letërsisë dhe mendimit shqiptar, njeriu që e ngjiti gjuhën shqipe në majat më të larta të artit dhe krenarisë. Fishta nuk ishte vetëm poet, nuk ishte thjesht françeskan, as vetëm patriot. Ai ishte shpirti i një kombi që kërkonte të njihte veten, një udhëheqës i heshtur i ndërgjegjes shqiptare, një strateg i fjalës së gjallë. Kur lexon “Lahutën e Malsisë” nuk ke përballë një vepër thjesht letrare por një epikë kombëtare të cilën populli shqiptar nuk e kishte pasur kurrë të shkruar më parë. Ishim një popull me këngë por pa epikë të sistemuar, me histori por pa narrativë që të na bashkonte si një vetëdije e përbashkët. Fishta e mori atë zbrazëti dhe e mbushi me heroizëm, besë, atdhedashuri, humor, ironi dhe frymë kritike. Lahuta nuk është thjesht lavd për malësorët dhe betejat por një pasqyrë ku ne shohim të mirën dhe të keqen tonë. Fishta nuk i lartësoi shqiptarët me sy mbyllur por me sytë hapur duke i lavdëruar kur ishin të lavdishëm dhe duke i qortuar kur ishin të padenjë. Fishta shkroi si mësues i kombit, një mësues që nuk të ledhaton për gabimet por të mëson të rritesh. Gjuhëtar, përkthyes, përfaqësues kontributi i Fishtës nuk kufizohet në letërsi. Ai ishte ndër përfaqësuesit kryesorë në Kongresin e Manastirit, aty ku u vendos alfabeti i shqipes, e bashkë me të e ardhmja e kombit. Pa një gjuhë të shkruar të përbashkët, shqiptarët nuk mund të kishin shkollë, kulturë, histori apo vetëdije kombëtare. Ai e kuptoi këtë më mirë se askush dhe luftoi për të. Në Konferencën e Paqes në Paris (1919), Fishta përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të rrallë duke përdorur penën dhe gojën si armë diplomatike. Ai tregoi se shqiptarët nuk janë thjesht një komb që kërkon të ekzistojë por një komb që ka çfarë t’i ofrojë botës, përmes kulturës, gjuhës dhe historisë së tij. Fishta ishte i paepur në kritikën ndaj padrejtësive, hipokrizisë dhe politikës që e shiste Shqipërinë për interesa personale. Në vepra satirike si “Gomari i Babatasit” apo “Anzat e Parnasit”, ai sulmon me një ironi therëse politikanët, klerikët e korruptuar, dembelët, hajdutët e idealit dhe të Atdheut.
Vargu i tij nuk ishte gjithmonë lavd por shpeshherë ishte thikë që shponte maskat, një zë që nuk dinte të heshtte kur kombi shkelej me këmbë. Në këtë kuptim, Fishta ishte poet i të vërtetës dhe jo i kompromisit. Pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist e ndaloi, fshiu dhe përndoqi veprën e Fishtës. Librat e tij u ndaluan, emri i tij u përbaltë dhe veprat u zhdukën nga shkollat. Emri i tij u hesht për më shumë se katër dekada por nuk u harrua. Në çdo shqiptar që donte gjuhën, që lexonte fshehurazi, që rrinte në kuvende burrash me këngë për trimëri, Fishta jetoi.
Dhe kur më në fund u rikthye në publik pas rënies së diktaturës, ai u kthye me madhësinë që i takon, si një rilindës i vonuar por i pavdekshëm. Sot, në kohën kur shpesh flitet shumë por thuhet pak, leximi i Fishtës është si kthim në një burim të pastër. Ai na kujton që fjala ka peshë, që identiteti nuk ndërtohet mbi përkime rastësore por mbi kulturë, besë, vetëdije dhe dije. Fishta na mëson që të jemi shqiptarë jo vetëm me flamur në dorë por me mendje të kthjellët, me zemër të pastër dhe me gojë që flet të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo. E pra, Gjergj Fishta nuk jeton më fizikisht por në çdo varg që lexojmë prej tij, në çdo shqiponjë që valëvitet në majat e maleve tona, në çdo nxënës që mëson të dojë gjuhën dhe kulturën e vet Fishta flet ende. Ai është aty kur ne kujtojmë rrënjët, kur ruajmë gjuhën, kur respektojmë dijen, kur dashurojmë me shpirt këtë tokë që na ka rritur. Dhe për sa kohë do ketë shqiptarë që e duan vendin me ndershmëri, që luftojnë me fjalë të vërteta dhe që shohin tek kultura shpëtimin
Gjergj Fishta nuk do vdesë kurrë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit