Në emër të të drejtave të njeriut, individët përfshirë figura publike kanë fituar një hapësirë më të gjerë për të shprehur identitetin e tyre, përfshirë edhe orientimin seksual. Kjo është një fitore për shoqëritë demokratike. Por ka një ndryshim të madh mes të drejtës për të jetuar lirisht dhe dëshirës për ta bërë këtë mënyrë jetese publike në çdo hapësirë përfshirë media, rrjete sociale apo deklarata zyrtare. A ka vend çdo e vërtetë private në sferën publike? Kur ambasadorë, politikanë, apo figura publike shpallin orientimin apo detaje të jetës intime në media apo konferenca, mund të lindin dy reagime:
1. Përkrahje dhe mirëkuptim, nëse kjo ndihmon në thyerjen e paragjykimeve dhe normalizimin e diversitetit.
2. Reagim kritik, kur ekspozimi shihet si i panevojshëm, sidomos në një kontekst ku fëmijët dhe të miturit janë konsumatorë të drejtpërdrejtë të informacionit.
Rrjetet sociale, mediat dhe format publike kanë krijuar një realitet ku jo çdo e drejtë duhet të jetë e shfaqur. Në emër të barazisë, po hyjmë nganjëherë në një ekspozim të tepruar që humb masën dhe ndikimin edukativ. Ku mbaron liria dhe ku fillon përgjegjësia? Fëmijët janë formuar përmes shembujve. Kur individë me pushtet moral ose publik flasin për jetën e tyre private në mënyrë të hapur dhe pa filtrin e kontekstit, nuk është vetëm një akt lirie, por edhe një akt me pasoja edukative. Kjo nuk është thirrje për censurë, por për kujdes, maturi dhe etikë publike sidomos në epokën kur çdo deklaratë bëhet virale, dhe çdo standard i dyfishtë perceptohet menjëherë nga brezat e rinj. A ka ardhur koha të ndalojmë me “skupin”? Po. Ka ardhur koha që t’i kthehemi masës, privatësisë dhe substancës. Jo çdo gjë është lajm. Jo çdo akt personal është një shembull frymëzues. Kauza e të drejtave të njeriut nuk ka si qëllim të zhveshë shoqërinë nga normat, por ta çlirojë nga padrejtësitë, pa shkatërruar strukturat që e mbajnë atë bashkë. Në fund, liria është e shenjtë por kur ekspozimi i lirisë sfidon ndjeshmëritë e fëmijëve dhe ngatërron mesazhin edukativ, ajo mund të bëhet kundërproduktive. Dhe kjo është përgjegjësi që duhet ta ndajnë mediat, politikanët dhe publiku.
