Kur dorëheqja bëhet akt dinjiteti

Ndaje

Ermal Dredha dha dorëheqjen si kryetar i Bashkisë Vlorë dhe ky ishte një akt qytetar. Një ngjarje që nuk duhet të shkojë pa u vlerësuar sepse nuk është çdo ditë që një politikan, i zgjedhur nga njerëzit, pranon se nuk mund të vazhdojë më, nuk është çdo ditë që sheh dorëheqje jo si dështim total por si reflektim moral dhe njerëzor. Edhe pse e njohim ,Ermal Dredha është një diplomat me përvojë, një politikan që u shpall kryebashkiak në 2023 me një program që prekte Vlorën , një qytet i pastër, një ekonomi e fortë, solidaritet, turizëm, zonë rurale, edukim dhe shëndet. Një vizion që synonte ta çonte Vlorën drejt klimës evropiane. Por realiteti ishte më i vështirë sesa fjalët e programit. Kritikat erdhën për mungesë eficience te disa drejtorë, për shërbime publike që nuk funksiononin siç duhej, për probleme me mbetjet, pastrimin e qytetit dhe për ndërtime pa leje që u bënë barrë sidomos në sezonin turistik. Në kushtet kur duhej të kishte koordinim dhe vendime që t’i shërbenin njerëzve dhe jo vetëm premtime , Ermal Dredha dha një shans të dytë për vetvete, firmosi dorëheqjet e drejtuesve të Bashkisë Vlorë, hapi vende vakante për njerëz me energji të re, për t’i dhënë institucionit mundësinë të rifitojë besimin e qytetarëve. Por ky shans nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi sepse shumica nuk e kuptoi vizionin e tij qytetar, sepse makinacionet dhe interesi personal shpesh duken më të forta se puna e sinqertë dhe transparenca. Një kryebashkiak që kërkonte të punonte me edukatë dhe tolerancë nuk gjeti jehonë të mjaftueshme. Dorëheqja e Ermalit është një shembull i rrallë. Është një moment kur zëri qytetar piqet dhe kur dikush nuk mbetet pas idesë se “më të mirët” nuk marrin gjithmonë mbështetje. Është edhe një mesazh i fortë për të gjithë ata drejtues që kanë qëndruar në poste për dekada me militantizëm, me interesa personale, me pak ose aspak rezultate. Por nuk je i përjetshëm dhe statusi i kohës nuk të mbron kur qytetari pret nga ty punë dhe jo propagandë. Nuk mundi Ermal të bëjë gjithçka? Jo. Nuk u kuptua nga shumica? Po. U përdor ideja e tij për interesa të tjera? Ka gjasa që po. Por prapëseprapë, ai i dha vetes një shans të dytë, një shans për të bërë ndryshim, t’i jepte Vlorës frymën që meritonte. Dhe kur pa se nuk po mjaftonte, ai pranoi të largohet, jo nga frika por nga përgjegjësia. Ky akt, dorëheqja, nuk duhet parë si kapitull i humbur por si reflektim qytetar, si hap që shënon se politika nuk është gjithmonë për arrogancë, por mund të jetë përkushtim. Dorëheqja e tij do të mbetet si shembull për ata që mendojnë se karrigia e pushtetit është e përhershme. Sot, teksa flasim për dorëheqjen e Ermalit, duhet të ngremë pyetje. Sa prej drejtorëve të vegjël apo “të mëdhenj” në këtë qytet, që sot vegjetojnë në poste me përfitime, interesa personale dhe pa përgjegjësi, janë të gatshëm të largohen kur nuk performojnë? Sa prej tyre janë zë i vërtetë qytetarë dhe sa janë të lidhur me lojëra pushteti? Politika jonë ka nevojë për më shumë dorëheqje të ndershme, më shumë njerëz që pranojnë se nuk munden më, se nuk arritën ose se u përdorën ose se nuk u kuptuan. Dorëheqja e Ermalit nuk është vetëm një rast lokal. Është një thirrje për të gjithë, institucione, drejtues, qytetarë. Të marrin përgjegjësi, të mos mbajnë pushtetin kur nuk sjell ndryshim. Të mos jetojnë për postin, por për njerëzit që premtuan të shërbejnë. Në një klimë politike ku rrallë pranohet përgjegjësia dhe ku karriget e pushtetit mbahen me ngulm edhe kur boshatisen nga përmbajtja, dorëheqja e Ermal Dredhës nuk është një akt i zakonshëm , është një dritare që hapet për t’i dhënë shpresë një kulture të re politike, ku njeriu nuk matet me kohën që qëndron në pushtet por me peshën që i jep këtij pushteti në dobi të qytetarëve. Është një kujtesë e fortë për të gjithë, që nderi nuk është vetëm në marrjen e detyrës por shpeshherë qëndron pikërisht në aktin e dorëzimit të saj, kur ndjen se nuk po ia del më, pa bërë zhurmë, pa bërë viktimën, pa akuzuar të tjerët. Në fund, historia do të gjykojë jo me afate por me gjurmë dhe Ermal Dredha, pavarësisht pamundësive apo kufizimeve që e rrethuan, ka zgjedhur të largohet me dinjitet. Dhe kjo, në politikën tonë, mbetet ende një virtyt i rrallë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit