Nuk është më kohë për heshtje dhe as për përulësi para fjalës së shkruar. Jetojmë në një epokë ku gjithçka gjykohet nga shpejtësia, pamja dhe klikimet dhe në këtë botë kaq të zhurmshme, ka një vend që po boshatiset ngadalë, biblioteka. Dikur, për të hyrë në një bibliotekë duhej leje. Për të mbajtur një libër, duheshin duar të pastra dhe shpirt i etur. Ndërsa sot librat janë kudo por vëmendja është askund. Prandaj po kthehem mbrapa, në kohë, atje ku nisi gjithçka jo për nostalgji por për kujtesë. Biblioteka e parë nuk ishte hapësirë me wi-fi por një mur i gdhendur me pllaka balte në Ninive aty ku Ashurbanipali mblodhi mijëra mendime përpara se të flitej për shtypshkronja, aplikacione apo botime masive. Ai nuk ishte vetëm mbret por ruajtës i mendimit sepse atëherë, dija nuk qarkullonte por fshihej dhe të mos e humbje, ishte akt civilizimi. Më vonë erdhi Aleksandria, ëndrra më e guximshme që ka parë ndonjëherë bota,të mblidheshin të gjitha dijet e njerëzimit në një vend të vetëm. Ndërsa sot kjo tingëllon e thjeshtë , na mjafton një kërkim në Google por ajo ishte një përpjekje titanike, një dashuri ndaj mendimit njerëzor që nuk njeh kufi, racë apo gjuhë. Ajo bibliotekë u dogj, u shkatërrua , u shpërfill sic ndodh gjithmonë me gjërat që janë më të mëdha se ne. Sepse në vend që të kemi më shumë dije , kemi më shumë informacion. Në vend që të thellohemi , skanojmë. Në vend që të ruajmë, kalojmë përtej.
Dhe në këtë garë për të ditur gjithçka, harrojmë përse na duhej të dinim në fillim. Biblioteka nuk është vetëm raft me libra por një akt kujtese. Një provë që njerëzimi nuk e pranoi errësirën, që dikush, diku, në një qoshe të errët të historisë, vendosi të ruajë një poezi, një lutje, një ligj, një mendim , sepse besoi se do të vinte një brez që do ta lexonte. Dhe ky brez je ti. Jam unë. Çdo herë që mbajmë në dorë një libër, ne bëhemi pjesë e një zinxhiri që nis me balten e Mesopotamisë, kalon nga dritaret e Aleksandrisë dhe vazhdon deri te një faqe e thjeshtë në një bibliotekë lagjeje. Mos e harro këtë. Herën tjetër që kalon para një biblioteke dhe nuk hyn, që sheh një libër dhe nuk e hap, që klikon por nuk lexon, ndalu dhe mendo.
A po jep diçka më të rëndësishme në këmbim të asaj që po humbet? Sepse kur humbasim bibliotekat nuk humbasim vetëm libra por kujtesën. Humbim atë që na dallon nga koha e errësirës. Ndaj, mbase është koha të mendojmë pak, të ulemi, të hapim një libër dhe të kuptojmë se gjithçka nisi me dikë që besoi se dija është për t’u mbajtur gjallë. Dhe mbase, në atë faqe, do gjejmë diçka më shumë se informacion, do gjejmë veten.
Ndaje
