Kulla e librave në Pragë.

Ndaje

Disa vite më parë, u ndala në një bibliotekë të vjetër në zemër të Pragës.
Nuk kisha plan por as pritshmëri,thjesht një pasdite e zakonshme në një qytet që di të ruajë heshtjen dhe librat.
Por aty, mes rafteve, më priste diçka që nuk ishte e zakonshme.”Infinity Book Tower”, kulla e pafund e librave.Në fillim mendova se ishte një instalacion artistik, një ide e bukur për sytë e vizitorëve por sapo u afrova dhe pashë brenda, ndjeva sikur dikush më kishte hapur një dritare drejt mendjes njerëzore. Librat, të vendosur në formë spiraleje, pasqyroheshin pafund në tavan e dysheme.
Ishte sikur çdo faqe, çdo histori, çdo ide të zgjatej drejt qiellit e thellësisë njëkohësisht. Atë moment mendova se dija nuk është asnjëherë e mjaftueshme, por gjithmonë e vlefshme. Sa më shumë lexon, aq më shumë kupton se nuk di mjaftueshëm dhe pikërisht aty fillon bukuria e kërkimit. Kulla e librave nuk më kujtoi madhështinë e njeriut por përulësinë e tij përpara dijes. Sepse çdo libër që hapim, është si të hedhim një dritë të vogël në errësirën e pafund të asaj që s’dimë. Disa vite më vonë e kuptoj se ajo kullë nuk ishte vetëm në Pragë. Ajo është brenda nesh ,çdo herë që lexojmë, çdo herë që mendojmë, çdo herë që guxojmë të pyesim “pse?”.Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse librat janë të përjetshëm, sepse na mbajnë gjallë kureshtjen, e cila është vetë fryma e jetës.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit