Sot, një aktor turk i njohur zgjodhi qytetin tonë për pushime. Burak Özçivit , një emër i njohur në serialet televizive, u prit sot me përkushtim nga autoritetet vendore, përfshirë kryetarin e bashkisë dhe kryetaren e këshillit bashkiak. Takime zyrtare, fotografi të shumta, emocione të shumta dhe një atmosferë e papërshtatshme për një vizitë që ishte, në thelb, private dhe turistike. Asgjë e keqe në mikpritjen përkundrazi, është një ndër vlerat tona më të mëdha. Por kur ajo kalon në një përulje institucionalo-popullore, që rrallëherë i rezervohet personaliteteve tona kombëtare, lind një pyetje e madhe. A e kemi humbur ndjeshmërinë për të dalluar mikpritjen nga servilizmi? Buraku erdhi i veshur si çdo turist , me pantallona të shkurtra e një pamje të relaksuar. Nuk ishte pjesë e ndonjë delegacioni shtetëror, as kishte ardhur për një aktivitet publik. Thjesht një pushues. Dhe ndërsa ai vetë dukej i ndrojtur nga gjithë vëmendja një gjuhë trupi që shpesh tregon siklet më shumë sesa rehati, përreth tij ndodhi një paradë përkushtimi, me fotografi të pafund, postime zyrtare, statuse entuziaste. Ndërkohë, në një realitet tjetër, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Yllka Mujo, Kadri Roshi , gjithe ikonat e artit shqiptar nuk janë pritur ndonjëherë me këtë shkallë formaliteti e emocioni. Jo se nuk e meritojnë, përkundrazi. Por sepse, siç ndodh shpesh, ajo që është “e jona” shpesh shihet si “e zakonshme”, ndërsa e huaja idealizohet si kulmi i vlerës. Ky fenomen nuk është i ri. Quhet ksenolatri , një formë adhurimi e gjithçkaje që vjen nga jashtë. Është një gjendje e rrënjosur në psikologjinë kolektive shqiptare, e cila vjen nga një histori e gjatë izolimi, mohimi dhe nevoje për t’u njohur nga të tjerët. Por kur ky adhurim tejkalon çdo masë, kur vendoset përpara dinjitetit institucional dhe vetërespektit kulturor, atëherë kthehet në dëm. Ksenolatria është ajo kur i huaji promovohet më shumë se vendasit e merituar. Është ajo kur qytetarët e thjeshtë përpiqen një jetë të tërë të thirren në bashki e nuk ia dalin, por një figurë televizive e huaj futet në sallën e mbledhjeve si të ishte kryeministër. Është kur në vend të një turizmi dinjitoz dhe bashkëpunues, ne i shërbejmë të huajit si spektatorë të vetvetes. Këtu nuk bëhet fjalë për kritika ndaj aktorit. Ai është i mirëpritur si çdo vizitor që zgjedh Vlorën për pushime. Por vizita e tij na bëri të shohim një të vërtetë të pakëndshme për veten, që shpesh i japim më shumë vlerë një të huaji sesa vetes sonë. Dhe ky është një reflektim që duhet ta bëjmë me zë të lartë. Sepse, nëse nuk mësojmë ta duam vetveten, nuk do të na respektojnë as të tjerët. Nëse nuk mësojmë te qëndrojmë dinjitozë, mikpritja jonë do të ngatërrohet me nënshtrim. Dhe nëse nuk mësojmë të vendosim protokoll dhe etikë për çdo vizitor vendas apo i huaj , do të vazhdojmë të jemi vendi i spektaklit, jo i respektit. Buraku zgjodhi Vlorën. Dhe kjo është një arsye për të qenë të lumtur. Por Vlora duhet të zgjedhë veten. Të respektojë protokollin, të mos e kthejë mikpritjen në ksenolatri dhe mbi të gjitha , të rikujtojë se vlera më e madhe nuk është në duart e atyre që vijnë, por në duart e atyre që qëndrojnë.
