Kriza e brezit të adoleshentëve dhe mungesa e autoritetit

Ndaje

Po rritet një brez që duket sikur ka humbur orientimin jo sepse nuk ka aftësi, inteligjencë apo potencial, por sepse po rritet në një realitet ku kufijtë janë të paqartë, autoritetet janë zbehur dhe vlerat shpesh perceptohen si diçka e vjetëruar, madje si pengesë. Kriza e brezit të adoleshentëve nuk është thjesht problem i moshës por pasojë e një sistemi që ka hequr dorë nga roli udhëzues.A ka më autoritet shkolla sot? Në shumë raste, jo. Institucioni që dikur ishte shtylla e disiplinës, formimit dhe edukimit qytetar, sot shpesh kufizohet vetëm në transmetimin e informacionit. Rregullat relativizohen, shkeljet tolerohen dhe frika nga reagimet e prindërve apo nga presioni social e ka dobësuar rolin e shkollës si autoritet edukues. Kur nxënësi nuk ndjen kufij, ai nuk ndjen as përgjegjësi. Po mësuesi, a ka më autoritet?
Autoriteti i mësuesit është ndër më të cenuarit. Nga figurë e respektuar, mësuesi shpesh është kthyer në një hallkë të pambrojtur, i ekspozuar ndaj mungesës së mbështetjes institucionale dhe mosbesimit. Pa autoritet, mësuesi nuk mund të edukojë por vetëm të mbijetojë brenda klasës. Dhe një mësues i dobësuar nuk mund të ndërtojë karaktere të forta. Prindërit, nga ana tjetër, ndodhen në një konflikt të vazhdueshëm mes mungesës së kohës dhe ndjenjës së fajit. Ngarkesa në punë, stresi ekonomik dhe ritmi i shpejtë i jetës i kanë larguar nga prania e qëndrueshme emocionale. Shpesh autoriteti zëvendësohet me tolerancë të tepruar, me justifikime dhe me heshtje. Por mungesa e kufijve nuk është dashuri por braktisje e heshtur. Dhe në këtë boshllëk autoriteti, adoleshentët kërkojnë modele diku tjetër dhe fatkeqësisht, i gjejnë në rrjetet sociale, në figura që promovojnë agresivitet, materializëm, famë të shpejtë dhe mungesë empatie. Kështu po rritet një brez me antivlera, ku respekti, puna, durimi dhe ndershmëria shihen si demode ndërsa arroganca dhe dhuna perceptohen si forcë. Çfarë duhet të ndryshojë?
Së pari, duhet rikthyer autoriteti i shëndetshëm, jo ai autoritar, por ai që bazohet në rregulla të qarta, përgjegjësi dhe dialog. Shkolla duhet të rimarrë rolin edukues jo vetëm atë akademik. Mësuesi duhet të mbrohet dhe të fuqizohet. Prindërit duhet të rikthejnë praninë jo vetëm fizike por emocionale dhe udhëzuese. Adoleshentët nuk kanë nevojë për më shumë liri pa kufij por për më shumë drejtim. Ata kanë nevojë për modele që flasin me shembull sepse vlerat dhe virtytet nuk janë demode por themeli i një shoqërie që dëshiron të ketë të ardhme. Kriza e brezit të adoleshentëve është në thelb, kriza jonë si shoqëri dhe zgjidhja nuk do të vijë nga fjalët, por nga veprimi i përbashkët. Nëse nuk ndërhyjmë sot, nesër do të jetë shumë më e vështirë të rindërtojmë atë që po humbet në heshtje.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit