Kortizoli, alarmi i brendshëm që nuk fiket lehtë

Ndaje

Në trupin e njeriut ekziston një mekanizëm i lashtë mbijetese, i krijuar për kohë rreziku, për momente kur duhej të vrapoje, të mbroheshe ose të luftoje për të jetuar. Ky mekanizëm quhet kortizol, hormoni i stresit, një lloj alarmi i brendshëm që ndizet sa herë që truri mendon se diçka nuk është në rregull. Në doza të vogla, ai është i domosdoshëm. Na zgjon në mëngjes, na mban vigjilentë, na ndihmon të përqendrohemi dhe të reagojmë shpejt. Por jeta moderne nuk ka më të njëjtat rreziqe si dikur, ndërsa alarmi vazhdon të ndizet po aq shpesh. Nuk vrapojmë nga kafshët e egra, por nga afatet, nga përgjegjësitë, nga pritshmëritë, nga mendimet që nuk ndalen. Trupi nuk bën dallim mes një rreziku real dhe një shqetësimi të përditshëm dhe kështu kortizoli qëndron i lartë më gjatë se sa duhet, duke e lodhur mendjen dhe trupin në heshtje. Kur kjo gjendje zgjat, njeriu fillon të ndjejë një tension të vazhdueshëm, një lloj gatishmërie që nuk qetësohet as në pushim. Gjumi bëhet më i cekët, durimi më i shkurtër, përqendrimi më i dobët edhe gjërat e vogla duken më të rënda, sikur çdo ditë të kërkonte më shumë energji se sa kemi. Nuk është mungesë force por një alarm që nuk po gjen momentin për t’u fikur. Dimri, me ritmin e tij më të ngadaltë, e bën këtë gjendje edhe më të dukshme. Kur drita pakësohet dhe lëvizja zvogëlohet, mendja ka më shumë hapësirë për të menduar, dhe jo gjithmonë për gjërat më të lehta. Në këtë kohë, trupi ka nevojë për të kundërtën e stresit, për frymëmarrje më të thellë, për lëvizje të rregullt, për qetësi, për ritëm sepse kortizoli nuk është armik. Ai është një roje që përpiqet të na mbrojë por si çdo alarm, ka nevojë që dikush t’i thotë se rreziku ka kaluar. Dhe ndonjëherë, mënyra më e mirë për ta fikur, është të ndalosh për një moment dhe të kujtosh se jo çdo gjë kërkon luftë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit