Kush nuk e ka provuar ndjesinë që ngrihet ngadalë dhe pa bujë por të merr nën kontroll ditën?
Një lodhje që nuk shfaqet me temperaturë, dhimbje koke apo ndonjë simptomë të dukshme por që e ndjen thellë brenda vetes. Një zbrazëti që të ndjek në çdo hap, në çdo buzëqeshje të detyruar dhe në çdo bisedë që duket e zakonshme. Kjo është lodhja e shpirtit, ajo që psikologët e quajnë konsumim emocional. Një lodhje e padukshme, e heshtur por shumë reale. Në fillim, mund të duket se është thjesht stres i përkohshëm, pak tension që kalon pas një nate gjumi apo një pushimi të shkurtër por me kalimin e kohës, vëren se pushimi nuk mjafton më. Ndërgjegja fillon të thotë se diçka nuk shkon ndërsa trupi ndjen një peshë të brendshme që nuk shpjegohet. Fillon izolimi i heshtur. Jo sepse të tjerët nuk të duan por sepse nuk ke më energji për të përballuar ritmin e përditshëm. Të tjerët flasin por mendja jote qëndrën në një vend tjetër, të duket sikur jeton jashtë kohës së tyre, në një botë ku gjithçka duket e rëndë dhe pa shije. Mërzia, ajo që nuk ka arsye, është shenja e parë. Gjërat që dikur të sillnin kënaqësi tani nuk të prekin më. Një kafe, një shëtitje, një libër,të gjitha duken të shkreta. Pas saj vjen padurimi, një ndjenjë e heshtur irritimi ndaj gjithçkaje që kërkon vëmendjen tënde. Çdo zë i tepërt, çdo detyrë e përditshme, çdo person që afrohet,duket si një barrë e pashmangshme. Ndjenja e të qënurit i pavlerë shfaqet në heshtje. Duket sikur përpjekjet e tua nuk kanë kuptim, sikur askush nuk vlerëson sakrificat dhe çdo sukses i vogël zhduket në një boshllëk të padukshëm. Kjo është një plagë e shpirtit që mund të ndiejmë thellë, një dhimbje që nuk shërohet me fjalë të thjeshta ndërkohë trupi shpesh përpiqet të mbulojë rraskapitjen me një sens omnipotence të rremë,ndjenja se mund të përballosh gjithçka, se je i pakapshëm dhe se asgjë nuk të mundon. Por kjo është vetëm një maskë,një përpjekje e pavetëdijshme për të mbajtur ritmin e shoqërisë, për të mos treguar dobësinë, për të mbajtur iluzionin e kontrollit.
Psikologët shpjegojnë se këto ndjenja, mërzia, padurimi, pavlerësia dhe sensi i rremë i fuqisë janë shenja të qarta të konsumimit emocional. Ato prekin më shumë ata që investojnë vazhdimisht tek të tjerët, që kërkojnë të jenë perfekt, që jetojnë nën presion të vazhdueshëm dhe që shpesh harrojnë të kujdesen për veten.
Në nivel trupor, konsumimi shfaqet me kortizol të lartë, pagjumësi, dobësi fizike, dhimbje koke dhe probleme të tjera që reflektojnë stresin e vazhdueshëm. Gjithashtu shfaqen harresa, irritim, ndjenja e boshllëkut dhe e paaftësisë për të gjetur kënaqësi.Por konsumimi nuk është fundi. Ai është një sinjal i rëndësishëm, një thirrje që psikologët e përshkruajnë si një mundësi për ndërgjegjësim. Të ndalesh, të dëgjosh trupin dhe shpirtin, të kuptosh se produktiviteti nuk është vlerë në kurriz të energjisë emocionale.
Por si ta parandalojmë?Fillimisht të ndërgjegjësohesh për shenjat e konsumimit,vendosja e kufijve dhe të mësojmë të themi “jo”,të rikthehemi tek gjërat e thjeshta,shëtitje, frymëmarrje e thellë, lexim, muzika që ngjall ndjesi. Të flasësh me dikë që të kupton, psikolog ose mik i besueshëm, të kujdesesh për trupin,gjumë i rregullt, ushqim i shëndetshëm, aktivitet fizik.
Prandaj konsumimi shpirtëror nuk është dobësi por një thirrje e brendshme për ndihmë, një kujtesë se nuk mund të jesh gjithmonë i fortë, se shpirti dhe trupi kanë nevojë për pushim. Ndalesa nuk është humbje kohe por akt i guximshëm, akt dashurie ndaj vetes.
Dhe në këtë botë që vlerëson shpejtësinë dhe suksesin, të kujdesesh për shpirtin tënd është një revolucion i heshtur, një mënyrë për të rikthyer dritën brenda vetes dhe për të jetuar me paqe. Fuqia e vërtetë nuk matet me sa shumë mund të përballosh por me aftësinë për të dëgjuar trupin dhe shpirtin, për t’i rikthyer energjinë dhe për të jetuar në harmoni me vetveten sepse konsumimi i shpirtit nuk është një gjykim, as një dënim por një thirrje e brendshme, një dritë që troket butë në derën e ndërgjegjes për të na kujtuar se jeta nuk duhet të jetë vetëm ritëm, detyrë dhe shpejtësi. Çdo ndjesi e pavlerësisë, çdo moment padurimi dhe çdo iluzion fuqie janë pjesë e rrugëtimit tonë, tregues të nevojës për të ndaluar, për të marrë frymë, për të rikthyer ekuilibrin dhe paqen në shpirt.
Kur mësojmë të dëgjojmë këtë zë të brendshëm, kur kujdesemi për vetveten pa turp, shpirti fillon të rindërtohet. Çdo hap i vogël drejt qetësisë, çdo moment i shijuar pa ngutje, çdo buzëqeshje e ndjerë është një fitore mbi zhurmën dhe rraskapitjen.Sepse fuqia e vërtetë nuk matet me sa shumë mund të përballojmë por me aftësinë për të ruajtur dritën brenda vetes, për të mbajtur shpirtin të gjallë dhe për të jetuar me ndjeshmëri, paqe dhe dashuri. Dhe kjo është dhurata më e madhe që mund t’i bëjmë vetes dhe botës që na rrethon.
Ndaje
