Në vitin 1940, bota ndodhej në kaos. Lufta e Dytë Botërore kishte përfshirë Evropën dhe Britania e Madhe qëndronte e vetme përballë forcave të Gjermanisë naziste. Ishte koha e bombardimeve të gjata dhe të tmerrshme të Luftës së Ajrit “The Blitz” kur qytetet britanike, veçanërisht Londra, u shndërruan në peizazhe drite dhe tymi të ndërthurur me panik dhe shpresë. Në këtë kontekst, një zë amerikan, Edward R. Murrow, nisi të transmetonte përmes radios së BBC-së për publikun amerikan një seri programesh të titulluara “This Is London”. Murrow nuk ishte thjesht një gazetar por një tregues realiteti, i vendosur mes rrënojave dhe panikut, por me një qetësi që shpërndante siguri. Ai përshkruante bombardimet, rrënojat, rrezikun e përhershëm, por gjithmonë duke theksuar guximin e qytetarëve dhe forcën e komunitetit. Çdo transmetim fillonte me fjalët e famshme
“This is London”, një frazë e thjeshtë por e ngarkuar me peshën e situatës. Përmes saj, Murrow e bëri të prekshëm luftën për amerikanët që ndodheshin mijëra kilometra larg. Ai përçonte një ndjesi intimiteti, duke i bërë dëgjuesit të ndihen si pjesë e Londrës që rezistonte jo vetëm si spektatorë larg distancës. “This Is London” ndryshoi mënyrën se si raportohej lufta. Para Murrow, lajmet ishin thjesht statistika dhe raporte të thata. Me zërin e tij, lufta u bë e gjallë, njerëzit u bënë protagonistë të historisë, dhe emocionet, frika, guximi, shpresa, u transmetuan përmes valëve të radios. Ai krijoi një model të gazetarisë moderne, ku realiteti i ashpër nuk fshihet por prezantohet me integritet dhe empati. Emisioni i Murrow nuk shërbeu vetëm për informim. Ai ndihmoi të krijonte lidhje mes vendeve, të sensibilizonte opinionin publik amerikan për fatin e britanikëve dhe më gjerë, për rëndësinë e mbështetjes së Britanisë në luftë. Zëri i tij u bë simbol i qëndrueshmërisë dhe i rezistencës për një botë që ndodhej në prag të shkatërrimit. Sot, kur kujtojmë “Kjo është Londra”, nuk kujtojmë vetëm një emision radiofonik por fuqinë e komunikimit të ndershëm, guximin për të thënë të vërtetën në kohë krize dhe artin e gazetarisë që kap historinë ndërsa ajo ndodh. Edward R. Murrow nuk raportoi thjesht lajme, ai bëri historinë të ndjehej si një përvojë njerëzore dhe për këtë, zëri i tij mbetet i pavdekshëm.
Ndaje
