Ne shpesh mendojmë se drobitja që ndjejmë në trup vjen nga lodhja e ditës, nga organet, nga një problem fizik që nuk e kemi zbuluar ende, dhe për këtë arsye fillojmë të kërkojmë shpjegime te analizat, te tensioni, te mëlçia, te zemra, te mungesa e vitaminave, sikur çdo rënie e energjisë duhet patjetër të ketë një shkak të dukshëm dhe të matshëm. Kjo është mënyra më e zakonshme si e kuptojmë veten, sepse jemi mësuar ta dëgjojmë trupin vetëm kur dhemb, vetëm kur jep shenja të forta, vetëm kur na detyron të ndalojmë dhe të pyesim se çfarë nuk shkon. Por jo çdo lodhje lind në trup dhe jo çdo rëndesë që ndiejmë është pasojë e një organi që nuk funksionon si duhet. Shpesh ajo që ndryshon është kimia e humorit, ajo pjesë e padukshme e organizmit që rregullon gjendjen tonë të brendshme, ritmin e gjumit, ndjenjën e qetësisë, dëshirën për të vepruar dhe mënyrën se si e përjetojmë ditën. Kur ky ekuilibër i brendshëm lëkundet, njeriu mund të ndihet i lodhur edhe pa qenë i sëmurë, i rënduar edhe pa pasur një arsye të dukshme, pa energji edhe kur analizat dalin normale. Kur bie serotonina, gjithçka duket më e rëndë, më e zymtë dhe më e vështirë se zakonisht, edhe pse jeta vazhdon njësoj. Kur ulet dopamina, mungon shtysa për të filluar gjërat dhe detyrat më të thjeshta dhe që kërkojnë më shumë përpjekje se sa duhet. Kur melatonina çrregullohet, gjumi nuk e rikthen më qetësinë, por vetëm kalon pa e shuar lodhjen. Kur kortizoli qëndron i lartë, trupi jeton në tension edhe kur nuk ka rrezik, dhe mendja nuk gjen dot pushim. Kur mungojnë endorfinat, edhe momentet që duhet të sjellin kënaqësi nuk arrijnë të japin atë ndjenjë lehtësie që zakonisht e marrim si të mirëqenë. Atëherë njeriu thotë, oh sa i lodhur jam dhe instinktivisht kërkon shkakun te stomaku, te zemra, te gjaku, te diçka konkrete që mund të shpjegohet lehtë.
Por e vërteta është se shpesh lodhja nuk është sëmundje e organeve, por lodhje e sistemit që rregullon emocionet, një çekuilibër i vogël, por i vazhdueshëm, që krijohet nga stresi, nga mungesa e gjumit, nga drita e pakët, nga ritmi i çrregullt i jetës, nga mendimet që nuk pushojnë as kur trupi ndalon. Prandaj ndonjëherë shërimi nuk fillon me medikamente por me gjëra shumë më të thjeshta dhe shumë më themelore, me gjumë të rregullt, me lëvizje, me dritë, qetësi, me njerëz që na bëjnë mirë, me kohë të bukur për veten dhe me ritëm më të ngadaltë. Sepse trupi nuk është vetëm mish dhe organe, por edhe kimi, edhe ritëm, edhe gjendje shpirtërore, dhe jo çdo lodhje kërkon mjek. Sepse disa lodhje kërkojnë vetëm ekuilibër.
Ndaje
