Karma. Mësuesja që nuk nxiton kurrë

Ndaje

Në një botë që kërkon përgjigje të shpejta, drejtësi të menjëhershme dhe hakmarrje të dukshme, karma ecën në ritmin e saj. Ajo nuk ka nevojë të bërtasë për t’u dëgjuar. Nuk ka nevojë të godasë për t’u ndjerë. Ajo thjesht,pret. Bruce Reichenbach, në librin e tij “Ligji i Karmës”, e përkufizon këtë ligj jo si ndëshkim, por si pasojë morale. Ai e sheh karmën si një mekanizëm natyror që lidh veprimin me rezultatet e tij, si një pasqyrë ku shfaqet e vërteta e asaj që jemi. Çdo veprim thotë ai, është një farë që mbillet në tokën e universit dhe ajo tokë nuk është asnjëherë sterile. Karma është një mësuese që nuk ka nevojë për fjalë. Ajo na edukon me përvoja. Kur gënjejmë, ajo na mëson çfarë do të thotë të mos na besojnë. Kur lëndojmë ajo na vendos përballë dhimbjes që kemi shkaktuar. Kur ndihmojmë, ajo na përfshin në një qetësi që nuk blihet me asgjë. E bukura e karmës është se nuk nxiton. Ajo i lejon kohës të bëjë punën e saj sepse vetëm koha i zbulon qëllimet e vërteta. Ne mund të kemi sukses përkohësisht me mashtrime, mund të ngjitemi me hile, mund të fitojmë me padrejtësi por karma nuk mat sipas fitimeve.
Ajo mat sipas qëllimeve dhe qëllimi, si një aromë e brendshme, nuk mund të fshihet. Në leximin e Reicenbah-ut, kupton që karma nuk është ndëshkuese por përmirësuese. Ajo nuk vjen për të marrë hak por për të sjellë ekuilibër. Nuk është ligj i dhunës por i mësimit.
Në një farë mënyre, ajo është më shumë një udhëzues shpirtëror sesa një gjykatës.
Sepse çdo dënim që sjell, në thelb është një ftesë për të reflektuar. Në shoqërinë tonë, ku shpesh drejtësia duket e vonuar, karma mbetet e vetmja që nuk gabon asnjëherë adresën.Nuk pyet për emra, për pushtet, për pasuri. Ajo njeh vetëm dritën dhe hijen që mbart çdo shpirt. Dhe në këtë kuptim, është ndoshta mësuesja më e ndershme që ekziston.Nuk të favorizon, nuk të përjashton por të rikthen vetëm atë që ke dhënë. E ndoshta ky është mësimi më i rëndësishëm që mund të marrim nga “Ligji i Karmës”se jeta nuk ndëshkon por pasqyron. Kështu që, përpara se të kërkojmë drejtësi jashtë nesh, ndoshta duhet të shohim brenda. Si po e ushqejmë tokën tonë të brendshme? Çfarë fara po mbjellim në të? Sepse çdo fjalë, çdo gjest, çdo qëndrim është një farë që një ditë do të rritet ndoshta kur të mos e presim më. Ndaj, mos u shqetëso për hakmarrjen. Mos u mërzit nëse drejtësia vonon. Karma ka orën e saj dhe ajo asnjëherë nuk vonon, sepse vjen pikërisht kur duhet. Në heshtje, me saktësinë e universit, me kujdesin e një mësuese që do të na mësojë por jo të na dëmtojë. Dhe atëherë kupton se ajo që jep, të kthehet. Në formën më të papritur por edhe më të saktë. Siç vetëm një mësuese e duruar si karma di ta japë mësimin.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit