Sa herë kemi vënë re një nxënës të heshtë në klasë edhe pse e di përgjigjen e saktë? Sa herë kemi dëgjuar një ide brilante që “ngec”në heshtje sepse zëri nuk gjen rrugën për t’u dëgjuar? Ky është një problem që nuk shihet lehtë, por që ka pasoja të thella. Një pjesë e madhe e nxënësve tanë kanë ide të shkëlqyera dhe potencial të qartë por përballen me një pengesë të heshtur pasi ata nuk dinë të flasin, të mbrojnë mendimin e tyre, të bindin ose të komunikojnë me siguri. Ky ngërç nuk lidhet me inteligjencën përkundrazi shpesh kjo ndodh tek nxënësit më të zgjuar dhe të përgatitur. Por problemi qëndron tek mungesa e ushtrimit dhe trajtimit sistematik në komunikim. Ata nuk janë mësuar të strukturojnë një ide, të fillojnë një fjali me siguri, të përdorin fjalorin e duhur apo të mbajnë kontakt me audiencën. Shumë kanë një leksik të varfër për shkak të mungesës së praktikës dhe kjo i bën të ndihen edhe më të pasigurt. Në klasë shpesh shoh nxënës që e dinë përgjigjen e saktë por hezitojnë të ngrenë dorën për tu përgjigjur. Të tjerë kanë ide krijuese por nuk arrijnë t’i organizojnë ato qartë dhe bindshëm. Disa zgjedhin të heshtin vazhdimisht dhe gradualisht tërhiqen nga përfshirja aktive në mësim dhe me kalimin e kohës, kjo heshtje bëhet zakon dhe mungesa e komunikimit kthehet në pengesë reale për zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Prandaj, lënda “Edukimi i Aftësive të Komunikimit” nuk është luks apo shtesë e panevojshme në kurrikul por domosdoshmëri. Është një nga aftësitë bazë që formon jo vetëm një nxënës të mirë por një qytetar të denjë. Ndaj e them me zë të lartë se fëmijët nuk kanë nevojë për edukim gjinor në shkollë por për Edukimin e Aftësive të Komunikimit, ku të mësojnë të kuptojnë të tjerët para se të përgjigjen, të shprehin mendimet qartë dhe bindshëm , të artikulojnë idetë e tyre pa frikë, të argumentojnë me respekt, të mbrojnë mendimin e tyre pa ofenduar të tjerët, të kundërshtojnë pa konflikte, të shprehin mospajtime në mënyrë konstruktive, të përdorin fjalor të pasur dhe të saktë, të kenë mjetet gjuhësore për të komunikuar nuanca dhe emocione, të kontrollojnë gjuhën e trupit dhe zërin për të rritur besueshmërinë dhe sigurinë, të ndërtojnë empati dhe respekt në dialog , të kuptojnë të tjerët dhe të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme, të marrin pjesë aktive në diskutime dhe debat publik dhe të bëhen qytetarë të aftë dhe të përgjegjshëm. Një lëndë e tillë do të ndihmonte nxënësit të pasurojnë leksikologjinë e tyre, të mësojnë të përdorin fjalë të sakta dhe të zgjedhura me kujdes, të ndërtojnë fjali të plota dhe të strukturuara qartë. Ajo do t’i mësonte si të argumentojnë me respekt, si të dëgjojnë pa ndërprerë, si të kundërshtojnë pa ofenduar dhe si të shprehin emocionet në mënyrë të ekuilibruar. Këto aftësi janë thelbësore për një qytetar të përgjegjshëm, që di të marrë pjesë në debat publik, të mbrojë të drejtat e tij dhe të respektojë mendimin ndryshe.
Kur këto aftësi ushtrohen rregullisht, ndryshimi tek nxënësit është i dukshëm. Ata fillojnë të flasin me qetësi, të shprehin mendimet me siguri dhe të marrin pjesë aktive në diskutime. Gradualisht, fitojnë vetëbesim dhe mësojnë se zëri i tyre ka vlerë. Nëse duam të formojmë të rinj që nuk tremben nga fjala, që dinë të argumentojnë, të dëgjojnë dhe të ndërtojnë dialog, atëherë duhet të veprojmë. Edukimi i Aftësive të Komunikimit duhet të vendoset në kurrikul si lëndë bazë, me program të strukturuar dhe orë të dedikuara, jo si aktivitet sporadik apo temë dytësore sepse në fund të fundit, shkolla nuk ka për detyrë vetëm të transmetojë njohuri, por të formojë individë të aftë për të jetuar dhe për të kontribuar në shoqëri dhe një qytetar i formuar është ai që di jo vetëm çfarë të mendojë, por edhe si ta shprehë mendimin e tij me qartësi, kulturë dhe dinjitet sepse kemi nevojë më shumë se kurrë për qytetarë me dinjitet dhe komunikimi është çelësi i fitores.
Ndaje
