Një reflektim mbi arsyen, lirinë dhe përgjegjësinë njerëzore . Ka filozofë që ndryshojnë mënyrën si mendojmë për botën dhe ka të tjerë që ndryshojnë mënyrën si mendojmë për veten. Immanuel Kant ishte i dyti. Në një epokë ku arsyeja po bëhej fe dhe feja po humbte terren, ai guxoi të thoshte se e vetmja gjë që vërtet ka vlerë absolute nuk është as pasuria, as pushteti, as lavdia por vullneti i mirë. Kant, mendimtari i përmbajtur nga Königsberg-u, jetoi gjithë jetën në një qytet që s’e la kurrë por mendja e tij udhëtoi më larg se shumë eksploratorë bashkëkohës. Ai ngriti një pyetje të madhe që ende na sfidon dhe sot se si duhet të veprojë njeriu, nëse dëshiron të jetë vërtet i lirë dhe moral? Për Kantil, liria dhe morali nuk janë kundërshtarë, siç shpesh mendojmë por janë binjakë që nuk ndahen. Ai besonte se njeriu është i lirë vetëm atëherë kur vepron nga detyra jo sepse e detyron frika, interesi apo ligji i jashtëm por sepse e ndien vetë se është e drejtë.Kjo është ajo që ai e quante ligji moral, një ligj që nuk e shkruan Parlamenti por ndërgjegjja. Në filozofinë e tij, Kant e përkufizon ligjin si një rregull objektiv që përcakton si duhet të veprojë njeriu, duke respektuar lirinë dhe dinjitetin e të tjerëve.
Në një botë të mbushur me ligje që shpesh ndryshojnë sipas interesave të atyre që i bëjnë, kjo ide tingëllon si utopi.Por Kant e ndante qartë ligjin moral nga ligji juridik:
• Ligji moral është i brendshëm. Ai buron nga arsyeja dhe nga detyra. Nuk të ndëshkon dot askush nëse e shkel, përveç ndërgjegjes sate.
• Ligji juridik është i jashtëm. Ai ruan rendin dhe të drejtat, por jo domosdoshmërisht moralin.
Për Kantin, liria nuk do të thotë “bëj ç’të duash”, por “bëj atë që duhet, sepse e zgjedh vetë ta bësh”.Dhe ky është dallimi që e bën njeriun moral dhe jo të bindur.
“ Vepro në atë mënyrë që mënyra jote e të vepruarit të mund të bëhet një ligj i përgjithshëm.”
Në këtë fjali që tingëllon si një ekuacion i moralit, Kant përmbledh të gjithë etikën e tij.Ai na pyet se po ta bënin të gjithë këtë që po bën ti, si do të ishte bota?Nëse përgjigjja është e drejtë, atëherë je në rrugën e moralit. Nëse jo atëherë ndoshta po gënjen veten. Kant nuk kërkon moral perfekt por mendim të ndershëm.Në një shoqëri ku justifikimet janë më të shpejta se veprimet, ai do të ishte filozofi më i pakëndshëm sepse nuk e pranonte asnjë arsye që binte ndesh me detyrën. Ai nuk besonte në kompromis moral por në respekt absolut për dinjitetin njerëzor. Për Kantin arsyeja ishte si busull e shpirtit, njeriu është krijesa që ka në vetvete dy botë, botën e ndjesive (atë që shohim, prekim, dëshirojmë) dhe botën e arsyes (atë që dimë se duhet të bëjmë). Të jesh moral, thoshte ai, është të dish t’i japësh arsyes pushtetin mbi dëshirën dhe kjo është ajo që e dallon njeriun nga çdo qenie tjetër, aftësia për të vepruar jo nga instinkti por nga detyra.Në një shoqëri si e jona, ku çdo gjë vlerësohet përmes fitimit, ndikimit apo pëlqimeve, Kant do të na kujtonte se arsyeja e pastër është pasuria më e madhe e njeriut sepse vetëm ajo mund të na udhëheqë drejt drejtësisë edhe kur rrethanat nuk e favorizojnë.
Filozofia e Kantit tingëllon si një manual moral për një shoqëri që shpesh e ka humbur busullën.Kur drejtësia bëhet selektive, kur morali bëhet luks dhe kur përgjegjësia individuale zëvendësohet me justifikimin kolektiv, ideja e Kantit për një ligj universal të arsyes është më e nevojshme se kurrë. Ai do të na thoshte:
• Mos e përdor tjetrin si mjet për qëllimet e tua.
• Mos e quaj liri atë që shkel lirinë e tjetrit.
• Mos e quaj moral atë që të leverdis por atë që është e drejtë në vetvete.Këto nuk janë vetëm parime filozofike por ushtrime të përditshme ndërgjegjeje.
Ironikisht, Kant kurrë nuk doli jashtë qytetit të tij, por idetë e tij udhëtuan më shumë se çdo udhëtar.Ai ndikoi në etikën moderne, në ligjin ndërkombëtar, në politikën demokratike dhe në filozofinë e të drejtave të njeriut.Në shumë mënyra, botërat që ndërtoi me mendje janë më të qëndrueshme se ato që ndërtojmë me duar.Në fund, Kant na lë një porosi të thjeshtë, por të thellë se bota bëhet më e mirë, jo kur të tjerët ndryshojnë por kur ti vepron siç duhet edhe kur askush nuk të sheh. Kjo është etika që lind nga brenda, ligji që nuk ka nevojë për polici, moraliteti që nuk kërkon lavdi.Sepse liria e vërtetë nuk është të bësh ç’të duash por të duash të bësh atë që është e drejtë dhe në një botë që ka ligje për gjithçka, por pak ndërgjegje për t’i respektuar, Kant mbetet kujtesa jonë filozofike se ligji më i fortë është ai që shkruhet në shpirtin e njeriut.
Një kujtesë se dinjiteti nuk jepet por fitohet me zgjedhje të përditshme, të vogla, të ndershme.
Ndaje
