Ju riktheva pas shumë kohësh Balzak-ut me “ Iluzionet e Humbura”, me librin që mban ende aromën e letrës së verdhë, aromën e librave që nuk i numërojmë me vite por me jetë. Ka romane që i lexon dhe i mbyll. Disa të lexojnë ty , të përqafojnë, të hapin, të çvendosin dhe në fund të lënë para pyetjes më njerëzore që ekziston. Sa nga ajo që ne quajmë ëndërr është thjesht iluzion? Historia e Lucien de Rubempre,djaloshit provincial që vjen në Paris me ambicie, talent dhe pafajësi, nuk është thjesht historia e një individi por e çdo njeriu që përballet për herë të parë me botën e madhe. Është drama e rritjes. Në fillim, iluzionet janë të bukura,të pastra, të dlira. Lucieni vjen duke besuar se mjaftojnë talenti, pasioni, dëlirësia por shpejt zbulon se bota nuk funksionon me rregullat e shpirtit, por me rregullat e interesit.Se arti nuk shpërblehet gjithmonë por manipulohet.Se drejtësia nuk është gjithmonë e drejtë. Se miqësia shpesh ka çmim.Se dashuria është më e brishtë se sa duket. Se ëndrrat thyhen pa paralajmërim. Balzaku e thotë me një kthjelltësi të ftohtë se njeriu nuk bëhet i pjekur duke fituar, por duke humbur. Është humbja e iluzioneve që e detyron njeriun të hapë sytë. Iluzionet janë të domosdoshme por edhe rrezikshëm të ëmbla. Ato na ushqejnë dhe na mashtrojnë në të njëjtën kohë. E pra, Lucieni bie sepse e tradhtojnë dhe tradhëton vetveten. Bie në kurthin e famës së shpejtë, të parasë së lehtë, të rrethit të rremë që e mban vetëm sa ka interes. Dhe pastaj, kur gjithçka i merret, mbetet vetëm ajo çfarë është realisht,një njeri që duhet të zgjedhë midis dëshpërimit dhe ringritjes.
Por Balzaku nuk flet për humbjen e iluzioneve si tragjedi por si transformim. Ai na mëson se jeta nuk është e padrejtë por reale.Ëndrrat janë iluzioni. Pjekuria është zgjimi. Dhe çfarë mbetet pas këtij zgjimi? Nuk mbetet një njeri më i hidhëruar por një njeri më i vërtetë. Lucien de Rubempré është portreti i secilit prej nesh në një moment të jetës,kur fillojmë me ëndrra të mëdha, kur i humbasim një nga një, dhe kur kuptojmë se jeta na kërkon jo të ëndërrojmë më pak, por të ëndërrojmë më ndershëm. Dhe ndërsa kthej faqet e zverdhura, më duket sikur prek jo vetëm një roman por një pasqyrë të thellë të vetes. Fletët më kundërmojnë ende aromën e kohës së kaluar, të heshtur, të vështirë, kohë që nuk kthehet por që të ka formuar. Dhe aty, në mes të rreshtave, qëndron një e vërtetë që Balzaku e thotë pa mëshirë. Njeriu nuk rritet me atë që fiton por me atë që humbet. E nëse Balzak do t’i drejtohej sot lexuesit, ndoshta do t’i thoshte me çiltërsi moshe.Mos ki frikë nga iluzionet që humbet por vetëm nga iluzionet që mbeten. Sepse ato që humbin, të zhvillojnë ndërsa ato që i mban me kokëfortësi të lëndojnë. “ Iluzionet e Humbura” mbetet një nga librat më njerëzorë që është shkruar ndonjëherë, jo sepse flet për dështimin por sepse flet për atë që vjen pas tij, të vërtetën e njeriut përballë vetes dhe botës që nuk fal.
Ndaje
