A ka vend për mirësinë e pastër në një botë të ndërtuar mbi interesin, ambicien dhe cinizmin? Kjo është pyetja që ngrihet natyrshëm sa herë rikthehemi tek Fjodor Dostojevski, në përkujtim të një shkrimtari që nuk shkroi thjesht romane por hapi plagët morale të njeriut dhe i vendosi ato përpara ndërgjegjes sonë. Me “Idiotin”, Dostojevski ndërtoi një nga figurat më të guximshme të letërsisë botërore, një njeri thellësisht të mirë, të sinqertë, të pambrojtur nga ligësia, por të mbushur me dhembshuri. Princi Myshkin nuk është hero në kuptimin tradicional, ai nuk lufton me forcë, nuk manipulon dhe nuk kërkon pushtet. Forca e tij qëndron tek aftësia për të kuptuar dhimbjen e tjetrit, për të falur dhe për të mos gjykuar. Në një shoqëri ku marrëdhëniet ndërtohen mbi krenarinë, interesin dhe konkurrencën, kjo lloj pastërtie duket e papërshtatshme, madje e rrezikshme. Dostojevski na tregoi se mirësia absolute nuk përplaset me të keqen në mënyrë spektakolare, por shpesh tretet në heshtje përballë saj. Myshkini hyn në jetën e njerëzve me dëshirën për të shëruar plagë shpirtërore, për të rikthyer dinjitetin e humbur dhe për të ofruar një dashuri pa kushte, por ai përballet me pasione të errëta, me xhelozi, me ambicie dhe me ego që nuk dinë të pranojnë një dritë kaq të pastër. Tragjedia e romanit nuk është vetëm personale por pasqyrë e një shoqërie që nuk di të reagojë përballë mirësisë, sepse e ka humbur gjuhën për ta kuptuar atë. Nëse e shohim botën sot, paralelizmi është i dhimbshëm. Jetojmë në një kohë ku shpesh vlerësohet më shumë aftësia për të imponuar sesa për të kuptuar, ku suksesi matet me ndikim dhe dukshmëri, dhe ku ndershmëria mund të shihet si pengesë në rrugën drejt arritjes. Njeriu që zgjedh të mos hyjë në lojëra interesi, që refuzon të përdorë të tjerët si mjete për qëllimet e veta, shpesh etiketohet si naiv, i dobët apo “jashtë realitetit”. Pikërisht këtë mekanizëm e kishte kuptuar Dostojevski më shumë se një shekull më parë. Por “Idioti” nuk është një roman që tallet me mirësinë përkundrazi, ai e lartëson atë duke treguar sa e rrallë dhe sa e brishtë është. Përmes Myshkinit, Dostojevski sugjeron se problemi nuk qëndron tek ai që mbetet i pastër, por tek një botë që është mësuar të mbijetojë përmes maskave. Ai na fton të reflektojmë nëse cinizmi është vërtet pjekuri, apo thjesht një mburojë përballë frikës dhe zhgënjimit. Në përkujtim të Dostojevskit, mbetet e gjallë kjo dilemë morale që ai ngriti me guxim, nëse një njeri i mirë quhet “idiot”, atëherë çfarë thotë kjo për shoqërinë që e gjykon?
Dhe ndoshta përgjigjja nuk qëndron tek ndryshimi i njeriut të mirë, por tek rikthimi i aftësisë sonë për ta njohur dhe për ta vlerësuar mirësinë si forcë, jo si dobësi. Ky shkrim dedikohet për 145-vjetorin e ndarjes nga jeta të Fjodor Dostojevski
Ndaje
