Sot, Shqipëria ndodhet në një nga ato ditë të rralla kur politika hesht të paktën në dukje. Heshtja zgjedhore, e parashikuar me ligj, është momenti kur partitë, kandidatët dhe mediat ndalojnë fjalën e tyre të përditshme, për t’ia lënë zërin qytetarëve. Por në thelb, kjo heshtje shpesh është më simbolike sesa reale.
Në Vlorë dhe në katër bashki të tjera të vendit, nesër do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale për zgjedhjen e kryebashkiakëve të rinj. Është një proces që mund të mos ketë peshën e një zgjedhjeje të përgjithshme, por që megjithatë tregon shumë për temperaturën politike dhe besimin qytetar ndaj institucioneve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialet zgjedhore.Policia ka marrë masat për sigurinë dhe çdo qendër votimi është gati të hapë dyert në orën 07:00 të mëngjesit, për t’u mbyllur në 18:00. Në letër, gjithçka duket e qetë, e planifikuar dhe në rregull. Por ajo që mbetet e papërshkruar në asnjë plan masash është emocioni njerëzor,dyshimi, shpresa, zhgënjimi apo indiferenca që çdo zgjedhës do të marrë me vete nesër në qendër votimi.
Në këtë ditë heshtjeje, ndoshta ia vlen të reflektojmë jo mbi fjalët e politikanëve, por mbi peshën e votës sonë. Sepse pas heshtjes, vjen gjithmonë zhurma e rezultateve dhe me to, përplasja e interpretimeve.
Por përpara se të ndodhë e gjitha kjo, sot është dita e vetme kur fjala i përket vetëm ndërgjegjes.
Një ditë e qetë, që duhet të na kujtojë se demokracia fillon në momentin kur qytetari vendos të flasë me votë dhe jo me zë.
Ndaje
