Halloween.Festa amerikane e marketingut dhe frikës

Ndaje

Halloween, festë që sot duket se dominohet nga dyqanet dhe reklamat nuk ka rrënjë të thella në kulturën tonë por është një import i ri nga Amerika, ku konsumi dhe marketingu e kanë kthyer në një fenomen global. Ajo nuk ka më lidhje me ritualet e nderimit të të parëve por me tregun e maskave, karameleve dhe dekorimeve spektakolare, të dizenjuara për të impresionuar dhe për të nxitur konsumimin. Maskat dhe kostumet, që dikur simbolizonin dritën dhe mbrojtjen ose personazhet e tregimeve të folura, sot krijojnë frikë të imponuar dhe shpesh çorientojnë. Errësira, që përdoret për të dramatizuar, nuk prodhon kënaqësi por tension dhe pasiguri. Fëmijët nuk kanë më hapësirë për lojë imagjinative por përjetojnë një spektakël të stisur, i cili i bën të ndihen të trembur dhe të hutuar. Çdo figurë e frikshme duket më shumë një mjet marketingu sesa një pjesë e festës. Origjina amerikane e Halloween-it është po aq e dukshme sa dhe komerciale. Festa është përhapur nga filmat, reklamat dhe dyqanet amerikane, duke u shndërruar në një fenomen që mbart më shumë marketing sesa kulturë. Karamelet, kostumet dhe dekorimet nuk mbulojnë boshllëkun e emocioneve por ofrojnë magjinë e vërtetë të festës, një ndjesi të përkohshme të konsumimit të imponuar.
Nga ana emocionale, fëmijët dhe pjesëmarrësit ndjejnë kontrastin mes pritshmërisë dhe realitetit. Ata presin të zhyten në histori dhe lojë kreative por gjejnë një teatër të frikës, errësirës dhe dekorimeve të blera. Ndjenja e vërtetë e gëzimit dhe e kureshtjes që një festë duhet të sjellë, humbet nën presionin e marketingut dhe spektaklit të imponuar. Është koha për të reflektuar mbi atë që humbim duke importuar festa që nuk rrjedhin nga kultura jonë dhe mbi mënyrën se si komerciali mund të deformojë traditat. Gëzimi nuk blihet, frika nuk duhet të jetë zbukurim dhe magjia e një historie të thjeshtë nuk mund të zëvendësohet me karamele dhe maska të frikshme. Halloween amerikan është bërë më shumë një teatër i marketingut sesa një festë që ushqen shpirtin. E ndërsa rrugët mbushen me drita dhe dyqanet me maska shumëngjyrëshe ne humbasim çdo vit pak nga ajo që një festë vërtet mund të japë, aventurë, kreativitet dhe kënaqësi të pastër.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit