Halloween: Analizë e një feste mes frikës, ritualit dhe komercializmit

Ndaje

Halloween nuk është thjesht një ditë për kostume të frikshme, karamele dhe drita të kungujve të gdhendur. Ajo është rezultat i një procesi historik të gjatë, i ndërthurur me besime pagane, rituale fetare dhe transformime kulturore që tregojnë se si shoqëritë përballen me vdekjen, pasigurinë dhe misterin. Analiza e kësaj feste na lejon të kuptojmë më mirë marrëdhënien e njerëzimit me të panjohurën dhe mënyrën sesi ritualet shndërrohen me kalimin e kohës. Rrënjët e Halloween datojnë tek keltët e lashtë dhe festa Samhain, ku 31 tetori shënonte ndarjen simbolike mes verës dhe dimrit, mes jetës dhe vdekjes. Në këtë natë, besimi ishte se shpirtrat e të vdekurve ktheheshin në botën e të gjallëve. Për të mbrojtur veten, njerëzit ndiznin zjarre dhe visheshin me maska, duke tentuar të trembnin ose të mashtronin entitetet e padukshme. Këto praktika tregojnë se, në origjinë, Halloween ishte një mjet mbijetese ,një mënyrë për t’u përballur me frikën dhe pasigurinë ekzistenciale. Transformimi i mëvonshëm i festës ka lidhje të ngushtë me procesin e asimilimit fetar. Kur Kisha Katolike shpalli 1 Nëntorin si Ditën e të Gjithë Shenjtorëve, Samhain u integrua në kalendarin e ri, duke marrë emrin All Hallows’ Eve. Ky ishte një shembull i zakonshëm i adaptimit fetar, praktikat pagane nuk u shuan por u transformuan nën petkun e fesë, duke ruajtur elementët ritualë por duke ndryshuar kuptimin dhe kontekstin e tyre. Me emigrimin e irlandezëve dhe të tjerëve në Amerikë gjatë shekullit XIX, Halloween rifitoi popullaritet dhe u diversifikua. Traditat dhe gdhendja e kungujve u bënë simbole të mbrojtjes dhe të bashkimit komunitar. Festat rurale ishin një kombinim i lojës, supersticionit dhe riteve sociale që shërbenin si mënyra për të kuptuar fatin, për të kontrolluar pasigurinë dhe për të ndërtuar lidhje mes gjeneratave. Gjatë shekullit XX, festa pësoi një komercializim të madh. Nga vitet 1930, Halloween u institucionalizua si ngjarje komunitare, ndërsa vitet 1950 e orientuan drejt fëmijëve dhe lojës. Sot, Halloween është një fenomen global, një industri e tërë me filma horror, maska dhe festime tematike. Por edhe në këtë formë moderne, mbetet e dukshme lidhja e saj me frikën dhe ritualin, nevojën për të përballuar të panjohurën dhe për të krijuar strukturë dhe kuptim përmes shenjave simbolike, kostumeve, dritave dhe ritualeve komunitare. Analiza e Halloween zbulon diçka më të thellë, ajo reflekton mënyrën se si kulturat ndryshojnëpor nevojat themelore njerëzore mbeten të pandryshuara. Frika nga vdekja, pasiguria për të ardhmen dhe dëshira për të krijuar komunitet nuk janë zbehur, ato thjesht kanë marrë forma të reja, më të lehta për t’u konsumuar dhe më të afërta me estetiken dhe argëtimin modern. Në këtë sens, Halloween nuk është thjesht një festë komerciale por një dritare analitike mbi psikologjinë dhe historinë sociale të njerëzimit. Ajo tregon sesi ritualet lindin nga nevoja për të kuptuar botën, si ato përshtaten me strukturat fetare dhe kulturore dhe si përfundimisht shndërrohen në spektakël duke ruajtur një lidhje të heshtur me frikën, kujtesën dhe bashkimin njerëzor. Halloween është një provë se edhe në epokën moderne, ne vazhdojmë të kërkojmë mënyra për të ndriçuar errësirën duke përdorur dritat e kungujve, kostumet dhe lojërat por duke ruajtur instinktin e vjetër për t’u përballur me misterin dhe të panjohurën.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit