Në historinë e muzikës botërore, pak emra kanë ndriçuar aq fort sa Giuseppe Verdi , kompozitori që ktheu notat në ndjenja, tragjedinë në art dhe shpirtin njerëzor në simfoni. Ai nuk ishte vetëm mjeshtër i melodisë, por ndërtues i një universi emocional ku muzika dhe jeta bashkëjetojnë, si dritë dhe hije në të njëjtën skenë. Verdi lindi më 1813 në një fshat të vogël afër Parmës, në një Itali ende të përçarë e të robëruar, dhe u rrit me një ndjesi të thellë për njerëzit e thjeshtë, për dhimbjen, dashurinë dhe shpresën e tyre. Kjo e bëri muzikën e tij njerëzore, të prekshme, të kuptueshme edhe për ata që s’kishin njohuri muzikore por kishin zemër për të ndier. Në çdo vepër të tij nga “Nabucco” te “Aida”, nga “Rigoletto” te “Otello” , Verdi nuk kërkoi thjesht të argëtonte por të zgjonte ndërgjegjen. Ai e shndërroi operën në një pasqyrë të shpirtit njerëzor.
Me korin e skllevërve në Nabucco (“Va, pensiero”), ai bëri që e gjithë Italia të ndiente thirrjen për liri, me La Traviata i dha zë një gruaje të dënuar padrejtësisht nga morali i kohës, me Aida-n shfaqi përplasjen midis detyrës dhe dashurisë, një luftë që është po aq moderne sot sa në shekullin XIX. Verdi nuk e konsideronte veten gjeni por një njeri që ndien fort dhe ndoshta ky është sekreti i pavdekësisë së tij, muzika e tij buron nga përvoja njerëzore, nga lotët, nga triumfi, nga mëkatet dhe falja. Ai i fali operës një dimension moral dhe emocional që më parë i mungonte. Në kohën kur Evropa po përjetonte ndryshime të mëdha revolucione, rritje të borgjezisë, lindjen e nacionalizmave, Verdi u bë zëri i popullit italian. Njerëzit e thjeshtë e quanin “padre Verdi”, sepse në notat e tij ndjenin atdheun dhe shpëtimin. Madje inicialet e tij, V.E.R.D.I. (Vittorio Emanuele Re D’Italia), u përdorën si simbol politik i bashkimit italian. Muzika e tij u bë himn për një komb që ende nuk ekzistonte.Por përtej politikës dhe historisë, Verdi mbetet mbi të gjitha kompozitori i shpirtit njerëzor. Ai e njihte dhimbjen, e njihte vetminë , humbi gruan dhe dy fëmijët shumë herët dhe këtë plagë e ktheu në frymëzim. Çdo notë e tij mban aromën e jetës, të dashurisë që digjet, të humbjes që fisnikëron, të shpirtit që kërkon dritë edhe në errësirë.
Në moshë të thyer, kur i gjithë bota e konsideronte të përmbushur, Verdi na dha edhe dy vepra të fundit, Otello dhe Falstaff, që shënojnë kulmin e maturisë artistike dhe filozofike. Në to, ai dëshmon se muzika mund të jetë një formë urtësie, një mënyrë për të kuptuar njeriun dhe kohën.
Sot, në çdo skenë të botës ku ngrihet perdja e operës, fryma e Verdit është ende aty, në vibrimin e një sopranoje, në heshtjen e publikut, në atë çast të shenjtë kur muzika i tejkalon fjalët.
Sepse Giuseppe Verdi nuk i përket vetëm Italisë por çdo njeriu që beson se arti mund ta shpëtojë shpirtin. Në Ditën Botërore të Operës, kujtimi i tij është një kujtesë për vlerën e ndjenjës, të virtytit, të pasionit dhe të dinjitetit njerëzor që ai ngriti në art.Dhe ndoshta është e drejtë të thuhet se, pa Verdin, opera do të ishte më e ftohtë dhe njerëzimi, më i heshtur.
Giuseppe Verdi, zëri që i dha shpirt njerëzimit përmes muzikës
Në nder të 25 Tetorit, Ditës Botërore të Operës
Ndaje
