Ka dashuri që nuk kërkojnë lumturi por kuptim. Dashuri që s’kanë nevojë të jenë të qeta sepse janë të vërteta. E tillë ishte lidhja mes Frida Kahlo-s dhe Diego Rivera-s një dashuri e lindur mes bojrave, dhimbjes dhe artit, e përjetuar si një pikturë që digjet e rigjenerohet në të njëjtën frymë.
Kur Frida e takoi Diego-n në vitet ’20, ajo ishte një vajzë e re, që sapo kishte nisur të rimëkëmbej pas një aksidenti tragjik me autobus, i cili ia theu trupin por i hapi shpirtin drejt artit. Ai, një burrë më i madh në moshë, tashmë piktor i njohur muralesh, e pa tek ajo diçka që nuk kishte parë kurrë më parë , një forcë që digjej nën lëkurë, një dhimbje që kërkonte të fliste nëpërmjet ngjyrave. Frida e adhuronte Diego-n si artist dhe e deshi si njeri, me gjithë peshën e vesëve dhe pasioneve të tij të pamatura. Ai, nga ana tjetër, e pa në të një shpirt binjak, të paqetë dhe të zjarrtë, që nuk mund të futej në asnjë kornizë, as në jetën, as në pikturat e tij. Letrat e Fridës për Diego-n janë më shumë se fjalë dashurie, ato janë rrëfime shpirtërore të një gruaje që ndiente çdo ndjenjë në kufijtë e ekzistencës. Në njërën prej tyre, ajo i shkruante: “E vërteta është aq e madhe, sa nuk dua të flas, as të fle, as të dëgjoj, as të dua. Dëshira ime është të kuptoj vijat, format, hijet, lëvizjet. Ti i plotëson dhe unë marr.”Në këtë rrëfim poetik, Frida nuk flet për dashurinë si ndjenjë romantike por si bashkim shpirtëror, si një marrëdhënie që kalon përtej trupit, përtej kohës. Për të, Diego ishte burim frymëzimi dhe shkatërrimi njëherësh “dashuria ime, dhimbja ime, universi im”, siç do ta quante në një tjetër letër. Martesa e tyre ishte një vorbull pasionesh, tradhtish dhe ribashkimesh. U martuan dy herë, u ndanë shumë herë por nuk e humbën kurrë njëri-tjetrin plotësisht. Ai e tradhtonte, ajo e lëndonte dhe sërish gjenin rrugën drejt njëri-tjetrit. “Ku mund të shkoj pa ty, Diego?” i shkruante ajo. “E ç’kuptim ka arti, nëse nuk je ti që më djeg përbrenda?” Në pikturat e Fridës, Diego shfaqet gjithmonë. Herë në ballin e saj, si një tatuazh i përjetshëm, herë si figurë e madhe në krahët e saj të vogla, herë si plagë e hapur që nuk mbyllet kurrë. Ai ishte për të si dielli për lulet , burim drite dhe shkak djegieje. Dhe ndoshta për këtë arsye, çdo tablo e Fridës mbart një copë të dashurisë së tyre të çmendur, një copë të shpirtit të saj që kërkon të kuptojë jetën përmes artit. Në një botë që shpesh kërkon dashuri të përsosura, historia e Frida Kahlo-s dhe Diego Rivera-s është kujtesa se dashuria e vërtetë nuk është e lehtë, nuk është lineare, as e arsyeshme. Ajo është krijim dhe shkatërrim njëherësh, është dhimbje që ndriçon, është art që merr frymë.Frida nuk e deshi Diego-n për t’u shpëtuar prej dhimbjes por për ta përjetuar atë në formën më të lartë të saj , në art.Në fund, ajo nuk kërkoi as falje, as qetësi por vetëm ta jetonte dashurinë e saj me të gjithë zhurmën, dritën dhe tronditjen që ajo sillte. Dhe ashtu siç pikturat e saj mbeten të pavdekshme, edhe dashuria për Diego-n mbeti e gdhendur në çdo vepër, në çdo letër, në çdo frymëmarrje të saj.
Frida dhe Diego nuk ishin një histori e zakonshme por dy shpërthime që u përplasën, u dogjën dhe krijuan një univers të ri, një univers ku arti dhe dashuria u bënë një.Kur ajo mbylli sytë për herë të fundit, thuhet se kishte buzëqeshur ndoshta sepse më në fund, në atë botë tjetër, mund të ishte me Diego-n, pa dhimbje, pa kufij por vetëm me dashuri.
Ndaje
