Kur ka fitore, duartrokasim! Jo thjesht për tre pikë në tabelë por për shpirtin, zemrën dhe përkushtimin që mbart çdo futbollist kuqezi. Fitorja e Flamurtarit ndaj Vllaznisë, dje në stadiumin “Flamurtari”, nuk ishte një ndeshje e zakonshme por një mesazh i fortë.Flamurtari është ende këtu, i gjallë, krenar dhe gati të rikthehet aty ku e ka vendin, në majë. Përballja mes vendit të parë dhe të fundit në renditje nuk u luajt vetëm me këmbë por me shpirt e pasion. Një gol, një fitore, por mbi të gjitha një shenjë se besimi po rikthehet. Atmosfera në stadium ishte e zjarrtë, tifozeria si gjithmonë besnike duke mbushur shkallët me këngë, flamuj e zemra që rrahin për ngjyrat kuqezi. Ata nuk e kanë lënë kurrë në baltë këtë ekip dhe as këtë herë nuk do ta bëjnë. Para fillimit të ndeshjes, homazhet për Leandron preknin çdo zemër të pranishme. Një moment respekti, një kujtesë se futbolli është më shumë se një lojë është familje, dashuri dhe nder.
Gjesti fisnik që u tregua në fushë dëshmon se ky ekip jo vetëm luan por jeton me dinjitet dhe shpirt sportiv. Kjo fitore duhet të jetë drita jeshile, sinjali që Flamurtari po zgjohet dhe po ngjitet drejt majës. Rruga është e gjatë por me këtë frymë, me këtë forcë dhe me këtë dashuri, çdo gjë është e mundur. Sepse Flamurtari nuk është thjesht një ekip , është një histori krenarie, rezistence dhe pasioni që jeton në çdo qytetar vlonjat. Le të vazhdojmë ta mbështesim me zemër, sepse kur Vlora është e bashkuar, asnjë pengesë nuk është e pamundur.
Forca Flamurtari, drita e fitores sapo është ndezur!
Ndaje
