Fjalët që ndryshojnë botën

Ndaje

Kur keni dëgjuar për herë të fundit një fjalim që ju preku thellë? Një fjalim që nuk fliste vetëm për politikë, sondazhe apo interesa të përkohshme por për shpirtin tuaj, për ëndrrat tuaja dhe për drejtësinë që shpesh harrojmë se ekziston? Shumë prej nesh do të mendojnë menjëherë për Martin Luther King dhe fjalimin e tij historik, “ Unë kam një ëndërr”. Ai nuk përdorte retorikë të ndërlikuar, nuk fliste për përfitime të politikës së ditës, nuk kërkonte të ndikonte në opinionin e mediave. Ai fliste për njerëzimin, për barazinë, për ëndrrën që një ditë të gjithë mund të jetojnë së bashku pa frikë dhe pa urrejtje. Fjalët e tij ishin të fuqishme sepse dilnin nga një vend i vërtetë, nga zemra dhe ndërgjegjja dhe jo nga kalkulimi ose propaganda. Sot, shumica e fjalimeve të politikës janë të shpejta, të shtrira në mesazhe të mediave, lajme që harrohen brenda ditës. Janë të bukura për pamje dhe tingull por shpesh bosh brenda. Shpesh tallen me ëndrrat dhe vizionet duke i reduktuar ato në slogane të përkohshme dhe në vend të frymëzimit, shpërndajnë zhurmë. Në vend të guximit prodhojnë frikë ose vetëkënaqësi. Ne jetojmë në një botë ku retorika e guximshme dhe e ndershme po bëhet gjithnjë e më e rrallë. Por a mund të mendojmë se çfarë do të ndodhte nëse liderët tanë do të flisnin për shpirtin dhe jo vetëm për pushtet? Çfarë do të ndodhte nëse do të guxonim të ëndërrojmë sërish, të besojmë në një botë më të drejtë, më të ndershme, më njerëzore? Martin Luther King na mësoi se fuqia nuk është në tone të larta por në guximin për të thënë të vërtetën. Fuqia nuk është në propagandë por në vizionin për një botë më të mirë dhe aftësinë për të ftuar të tjerët të besojnë në të. Ai na tregoi se fjalët mund të jenë dritë, dhe kur flasin nga zemra, ato kthehen në veprime që ndryshojnë botën. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për fjalë të tilla. Fjalë që nuk harrohen, që nuk shuhen brenda ditës, që ngjallin frymë dhe ndryshim. Sepse në botën e zhurmës së mediave dhe propagandës, vetëm fjalët që vijnë nga zemra kanë fuqinë të flasin më shumë se çdo zë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit