Ne e dimë ndjesinë e frikës kur gjithçka rrotullohet rreth nesh,zjarre që përpin qytetin, heshtja e dhomave të mbushura me sekretet e fshehura, humbja që peshon mbi shpatulla. Por ndër këto net të errëta, ne kemi mësuar diçka që nuk mund ta marrin luftërat.
Fuqinë e fjalëve. Kur ndjekim Liesel Meminger në udhëtimin e saj, ne ndiejmë si të ishim vetë atje me të, duke prekur faqet e librave të vjedhur fshehurazi, duke ndjerë aromën e letërsisë që shpëton shpirtin. Çdo fjali që ajo lexon, çdo varg që mbetet në mendjen e saj, bëhet pjesë e jona,një kujtesë se edhe kur gjithçka tjetër shembet, fjalët mbeten. Kur Max fshihet në bodrumin e Hubermann-ëve, ne ndjejmë me të frikën, pasigurinë, por edhe shpresën që vjen nga guximi i vogël. Një libër i fshehur, një letër e shkruar, një histori që përqafohet në heshtje. Ne e kuptojmë se shpëtimi nuk është gjithmonë heroik por shpesh është thjesht të mbash gjallë kujtesën, dashurinë dhe lidhjet me të tjerët. Ne mësojmë së bashku se librat nuk janë thjesht letra të shtypura por armë të padukshme që nuk thyhen kurrë. Kur lexojmë bashkë me Lieselin, ndiejmë se mbijetesa nuk matet vetëm me trupin por edhe me shpirtin, dhe librat janë ajo që na mban gjallë. Në mes të dhimbjes dhe tmerrit, librat janë drita jonë, një ylber që përhap ngjyrat e kujtesës, shpresës dhe guximit. Dhe ndërsa ne kthehemi në jetën tonë të përditshme, ku luftërat janë më të heshtura, por jo më pak reale, ne e mbajmë këtë mësim të thjeshtë.
Fjalët mund të na shpëtojnë, mund të na ngushëllojnë, mund të na lidhin. Në botën e sotme, ku lajmet e trazuara, frika dhe pasiguria përzihen në çdo ditë, ne kuptojmë se librat dhe historitë janë ende dritë në errësirë,miq që na kujtojnë se shpresa është e mundur, se guximi mund të jetë i vogël, por gjithmonë i mjaftueshëm, dhe se bota mund të duket më e mirë kur e ndajmë atë me të tjerët. Sepse ne nuk jemi thjesht lexues por dëshmitarë të jetës dhe çdo libër që hapim është një rrugë për të kuptuar se si të jetojmë, të ndjejmë dhe të mbajmë gjallë shpirtin tonë edhe kur gjithçka duket e humbur.
Ndaje
