Fitorja e së vërtetës mbi iluzionin

Ndaje

Një vendim që tronditi Amerikën, Gjykata Supreme i dha fund një prej politikave më të debatueshme të administratës Biden.Pasaportave me identitet gjinor të zgjedhur.
Prej sot, në dokumentet zyrtare, identiteti do të reflektojë faktin biologjik të lindjes, jo ndjenjat apo vetëpërcaktimet dhe ky vendim, përtej një akti ligjor, është një mesazh moral. E vërteta nuk është çështje opinion. Në një epokë ku kufijtë mes realitetit dhe perceptimit janë turbulluar, ky vendim rikthen një themel që shoqëria moderne po e harronte,faktet ekzistojnë.
Seksi nuk është ndjesi por gjenetikë, është biologji, është e pandryshueshme. Dhe kur ligji fillon të mohojë biologjinë, ai rrezikon të humbasë logjikën. Sigurisht, reagimet nuk munguan. Organizatat e majta e quajtën këtë vendim “një hap pas në të drejtat e njeriut”, ndërsa konservatorët e përshëndetën si “fitore të arsyes”. Por përtej politikës, çështja ngre një pyetje thelbësore. A mund të ndërtohet një shoqëri e qëndrueshme mbi perceptime që ndryshojnë çdo ditë? Në thelb, ky vendim nuk është kundër askujt por në mbrojtje të së vërtetës.
Në një botë ku gjithçka relativizohet, e vërteta bëhet akt rebelimi. Dhe ndoshta, pas dekadash konformizmi ideologjik, ky është fillimi i kthimit drejt arsyes. Sepse, siç thotë Bibla: “Mashkull dhe femër i krijoi Ai.” (Zanafilla 5:2) Jo për të përjashtuar por për të vendosur rregull në kaos.
Dhe ndoshta, për herë të parë pas shumë vitesh, ligji dhe natyra janë sërish në të njëjtën anë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit