Financimi i kërkimit shkencor me performancë, një hap drejt standardeve europiane dhe reformës në arsim

Ndaje

Në një kohë kur arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor kërkojnë jo vetëm mbështetje financiare, por mbi të gjitha një vizion të qëndrueshëm dhe të matshëm, vendimi i fundit i bërë publik nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, për miratimin e një mekanizmi të ri që përcakton financimin e kërkimit shkencor, shënon një kthesë që nuk mund të lexohet thjesht si akt administrativ, por si një sinjal politik mbi mënyrën se si shteti synon të ndërtojë raportin me dijen. Ky mekanizëm, i cili lidh mbështetjen financiare të institucioneve me performancën e tyre, hap një diskutim më të gjerë mbi kulturën e vlerësimit në akademi, mbi mënyrën se si matet cilësia e kërkimit dhe mbi atë nëse sistemi është gati të kalojë nga një logjikë shpërndarjeje të përgjithshme fondesh drejt një modeli më konkurrues, ku rezultatet dhe impakti shkencor bëhen kriteri kryesor i mbijetesës dhe zhvillimit. Në sfondin e kësaj reforme qëndron edhe një tjetër dimension i rëndësishëm strategjik, kapitujt 25 dhe 26 të negociatave me Bashkimin Europian, të cilët lidhen drejtpërdrejt me arsimin dhe kërkimin shkencor, dhe që sipas pritshmërive pritet të jenë ndër të parët që mbyllen në procesin e integrimit. Kjo nuk është vetëm një çështje teknike e përafrimit të legjislacionit, por një provë e aftësisë së sistemit shqiptar për të prodhuar dije, për të garantuar standarde dhe për të ndërtuar institucione që funksionojnë sipas logjikës së meritës dhe transparencës. Megjithatë, përtej optimizmit institucional dhe gjuhës së reformave, mbetet gjithmonë pyetja thelbësore.
A do të arrijë ky mekanizëm të krijojë një ekuilibër të drejtë mes konkurrencës dhe mbështetjes për zhvillim afatgjatë, apo rrezikon të thellojë hendekun mes institucioneve që kanë tashmë kapacitete dhe atyre që ende përpiqen të ndërtojnë themelet e tyre? Sepse çdo reformë në arsim nuk matet vetëm me vendime të miratuara, por me atë që ndodh në laboratorë, në auditorë dhe në heshtjen e gjatë të kërkimit shkencor, aty ku politika duhet të shndërrohet në mundësi reale dhe jo vetëm në deklaratë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit