Fillimisht mungoi uji, më pas durimi e së fundmi mungoi besimi.

Ndaje

Katër ditë pa ujë në Vlorë nuk janë thjesht një problem teknik, por një provë e dhimbshme se sa shpejt një qytet mund të rrëshqasë nga normaliteti në poshtërim, nga premtimi në zhgënjim, nga krenaria në turp. Rubinetët janë të thatë, depozitat bosh, telefonat bien pa marrë përgjigje ndërsa qyteti endet me bidona në duar, si të ishte kthyer në një kohë që mendonim se e kishim lënë pas. Njerëzit mbushin ujë në det për të mbijetuar, për të shkarkuar tualetin, për të ruajtur një grimë higjiene. Ndërkohë, në këto katër ditë të pambarimta, uji blihet pa fund dhe padrejtësia blihet bashkë me të, sepse kush ka para’ siguron mbijetesën ndërsa kush nuk ka, pret dhe duron… Dhe protestat shpërthejnë jo sepse njerëzit kërkojnë zhurmë apo përplasje, por sepse heshtja zgjati shumë, sepse ky “difekt” erdhi pa paralajmërim, pa shpjegim dhe pa një plan B, duke lënë pas vetëm fjali të thata, po aq të thata sa tubacionet që nuk japin më asnjë pikë. Çfarë po ndodh? Askush nuk e thotë qartë dhe kur askush nuk flet, dyshimi rritet dhe besimi shembet. A mjafton ndjesa kur mungon uji për fëmijët, për të sëmurët dhe për të moshuarit? Një “na vjen keq” nuk lan, nuk pastron dhe nuk zëvendëson një nevojë jetike sepse ndjesa është fjalë dhe uji është jetë. Po dhuna? Dhuna nuk justifikohet dhe nuk duhet normalizuar, por as nuk lind nga hiçi. Ajo shfaqet kur qytetari ndihet i padukshëm, kur nevoja më bazike trajtohet si problem dytësor dhe kur përgjegjësia shtyhet nga një zyrë në tjetrën. Po kush e ka fajin? Mendoj se nuk është qytetari që kërkon ujë, as protestuesi që kërkon përgjigje por sistemi që reagon vetëm pasi kriza ka shpërthyer, një administrim që nuk parashikon, nuk informon dhe nuk mbron. Dhe këtu lind ndjesia e hidhur e asaj që ndjejmë të gjithë, “ jo deri këtu”! Më vjen keq që ky qytet ngjan gjithnjë e më tepër me Versajën e Luigjit të XIV, që rrezatonte në fasada nga luksi dhe ndriçimi por që qelbej nga era e rëndë e jashtëqitjes për shkak të mungesës së ujit dhe kanalizimeve. Edhe Migjeni do lutej për “pak dritë- ujë” si simbol i mjerimit njerëzor por sot në Vlorë, nuk është më simbol por realitet i ftohtë, i lagësht nga deti dhe i thatë në rubinet. Dhe kjo është përgjegjësi njerëzore. Sepse aty ku ndalet uji, ndalet edhe durimi.Dhe aty ku ndalet durimi, fillon llogaridhënia.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit