Ka ngjarje që nuk mbeten thjesht në kujtesë, por rrinë diku më thellë, aty ku emocionet ruhen me kujdes dhe rikthehen sa herë që një emër, një qytet apo një zë i njohur i zgjon. Radiofest është një prej tyre. Një festival që, përtej mikrofonëve dhe valëve radiofonike, mbart histori njerëzore, rrugëtime profesionale dhe lidhje që i rezistojnë kohës. Rikthimi aty, pas shumë vitesh, nuk është vetëm pjesëmarrje në një event por një takim i heshtur me kujtimet, me fillimet dhe me atë pasion të parë që ende vazhdon të rrahë me të njëjtën ndjeshmëri. Shumë vite më parë, pata kënaqësinë të jem pjesë e Radiofest në Gjakovë si administratore dhe gazetare e Radio Idea 105.2 FM. Ishte një përvojë që nuk mund të harrohet lehtë nga emocionet e para, ngarkesa profesionale, mikpritja e ngrohtë e kolegëve dhe vetë qytetit të Gjakovës, dhe natyrisht, çmimi i tretë që u dorëzua nga kryetarja e Bashkisë së asaj kohe znj. Mimoza Kusari duke e bërë atë moment të ndjehej i veçantë dhe i paharrueshëm. Çdo bisedë, çdo buzëqeshje dhe çdo dorëzim çmimi mbartnin brenda tyre një histori të vogël por të fuqishme, të krijuar me përkushtim dhe pasion. Ishte fundi i dhjetorit, në prag të Krishtlindjes. Gjakova dukej e mbushur me dritë dhe ngrohtësi dhe rrugët e saj, të qeta, të gjalla e plot dritë, njerëzit e saj, të sjellshëm dhe të kujdesshëm në cdo fjalë, krijonin një atmosferë që bënte çdo moment aty të ndjehej i mbushur me kuptim. Ishte një mikpritje e rrallë, e cila transformonte çdo bisedë në një kujtim të ngrohtë që ruhet gjatë me një ndjenjë që mbetet brenda shpirtit shumë pas largimit. Pas shumë vitesh, rikthimi im në Radiofest erdhi në një formë tjetërmë të veçantë , përmes Qendrës Mediatike Universitare të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”. Për herë të parë, një media universitare mori pjesë në këtë festival, duke prezantuar një reportazh dhe një spot publicitar të realizuar nga laboratori mediatik i universitetit. Ky moment nuk ishte vetëm një pjesëmarrje formale por një shenjë e qartë se brezat e rinj kanë zë, ide dhe pasion për të kontribuar, për të ndarë përvoja dhe për të krijuar lidhje që shkojnë përtej universiteteve dhe mikrofonëve. Ky rikthim nuk do të kishte qenë i mundur pa këmbënguljen dhe dashamirësinë e Drejtorit të Radio Fest, z. Skënder Gola, mik i vjetër, një mbështetës i palodhur i radios dhe i të rinjve, i cili besoi se Universiteti i Vlorës duhej të ishte pjesë e këtij takimi ku pasionet dhe përvojat bashkohen pa barriera. Përkushtimi i tij dhe i ekipit të Radio Gjakovës e bëjnë këtë festival një nga ato ngjarje që nuk harrohen, një hapësirë ku çdo zë ka vend për t’u dëgjuar dhe ku kujtimet ruhen me respekt. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë organizatorët e Radio Fest , për mikpritjen, profesionalizmin dhe dashurinë për radion, me premtimin se vitin tjetër do të rikthehemi sërish , me më shumë studentë, më shumë eksperiencë dhe me të njëjtin emocion të ëmbël që vetëm Radio Fest di ta zgjojë dhe ta mbajë gjallë ndër vite.

