Falklandi,arti i mosveprimit kur nuk është i nevojshëm

Ndaje

Ka një lloj force që nuk bën zhurmë, nuk troket në tavolinë, nuk ngre tonin, nuk nxitohet të japë përgjigje. Është një forcë që qëndron, vëzhgon dhe zgjedh të mos lëvizë aspak nga frika por nga mençuria. Ky është ligji im i preferuar. Ligji i Falkland-it.
Nëse nuk është e nevojshme të marrësh një vendim mos e merr.
Jetojmë në një kohë ku reagimi është refleks e duhet të përgjigjesh menjëherë.
Duhet të kesh një mendim për çdo gjë, të zgjedhësh të komentosh, të reagosh, të vendosësh.
Heshtja shihet si dobësi, pritja si pasiguri dhe maturia si hezitim. Por jo çdo situatë kërkon ndërhyrjen tonë. Jo çdo pyetje kërkon përgjigje të menjëhershme. Ka vendime që, po t’i lësh pak në qetësinë e kohës, treten vetë. Ka tensione që zbuten pa i prekur. Ka emocione që, nëse nuk i ushqen me reagim të shpejtë, shuhen si dallgë që përplasen e pastaj tërhiqen. Ligji i Falkland-it nuk është pasivitet por disiplinë. Është aftësia për të dalluar mes asaj që kërkon veprim dhe asaj që kërkon durim. Është inteligjenca për të kuptuar se jo çdo betejë meriton energjinë tënde. Sa vendime kemi marrë në nxitim dhe jemi penduar? Sa fjalë kemi thënë për të mbushur një heshtje që, në fakt, ishte e shëndetshme? Sa herë kemi reaguar sepse “duhej”, jo sepse ishte e domosdoshme? Unë e dua këtë ligj sepse më kujton se fuqia nuk qëndron gjithmonë te veprimi por tek vetëpërmbajtja. Te aftësia për të mos shtuar zhurmë në një botë që gumëzhin pa pushim. Te zgjedhja për të mos marrë një vendim vetëm për të ndier se ke kontroll. Ka një elegancë në pritje, një dinjitet në maturi, një lloj qetësie që vjen kur i thua vetes: “Nuk është nevoja tani.” Dhe paradoksi është se shpesh, kur nuk e detyron vendimin, ai bëhet më i qartë. Kur nuk e shtyn situatën, ajo vetë rregullohet dhe koha është këshilltarja më e mirë për çështjet që nuk janë urgjente. Prandaj Falklandi është ligji im i preferuar, sepse më ka mësuar të mos reagoj për të provuar se jam e fortë.
Të mos vendos për të treguar se kam kontroll e të mos flas vetëm për të mbushur boshllëkun. Ndonjëherë, zgjedhja më e mençur është të mos zgjedhësh ende dhe kjo, në një botë që vrapon, është një akt i rrallë guximi.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit