Etika e së vërtetës në kohën e zhurmës së madhe, një betejë që nuk mbaron

Ndaje

Etika e së vërtetës në epokën e informacionit të rremë është bërë një sfidë që prek çdo individ, çdo institucion dhe çdo media. Kemi hyrë në një kohë ku e pavërteta qarkullon më shpejt se fakti, ku informacioni nuk matet më me cilësi por me ritëm, dhe ku opinioni maskohet shpesh si realitet. Ky transformim i madh i mënyrës se si informohemi ka krijuar një terren të ri, ku e vërteta nuk është e dukshme dhe kërkon mundim për t’u gjetur. Manipulimi i opinionit publik nuk ndodh më përmes mjeteve të sofistikuara politike, por përmes algoritmeve, portaleve të paqëna, rrjeteve sociale që shumëfishojnë çdo emocion dhe përmes lexuesve që, shpesh pa e kuptuar, kthehen në shpërndarës të lajmeve të rreme. Informacioni i rremë është projektuar të prekë emocionet tona më të forta, frikën, zemërimin, pasigurinë. Për këtë arsye lajmet e pavërteta përhapen më shpejt, sepse synojnë të trondisin, të ndezin debat, të krijojnë tension, ndërsa faktet janë më të qeta, më të ftohta, më të ngadalshme. Rrjetet sociale, nga ana tjetër, janë bërë mjet i fuqishëm në këtë rrjedhë, algoritmet nxisin përmbajtjet që shkaktojnë reagime të forta dhe krijojnë flluska informacioni ku secili dëgjon vetëm pikëpamjet që konfirmojnë atë që tashmë mendon.
Në këtë mjegull informacioni, dallimi midis faktit dhe opinionit është kthyer në një detyrim etik, jo vetëm për gazetarët por edhe për çdo qytetar. Fakti është i verifikueshëm, i matshëm, i dokumentuar. Ai qëndron i njëjtë pavarësisht se kush e tregon. Opinioni përkundrazi, është interpretim, është qëndrim personal, është këndvështrim i një individi mbi realitetin. Por sot opinioni shpesh fshihet brenda një titulli informativ, duke i dhënë lexuesit përshtypjen se po konsumon një fakt të provuar. Këtu nis manipulimi. Gjuha që përdoret është një tregues i qartë se çfarë lexojmë, titujt e fortë, dramatikë, të ekzagjeruar, janë shenja të opinionit që përpiqet të ndërhyjë në emocionet tona. Faktet nuk bërtasin, ato janë të qeta, të sakta, të mbështetura në burime. Prandaj burimi është gjithçka. Një informacion pa autor, pa referencë, pa institucion, është një lajm pa identitet. Kur një e vërtetë është reale, ajo nuk qëndron vetëm në një faqe të vetme,ajo gjendet në disa media, në raporte, në dokumente të pavarura. Kontrolli i kryqëzuar, pra verifikimi në më shumë se një burim, është mënyra më e thjeshtë dhe më etike për të dalluar realitetin nga konstruksioni.
Në këtë klimë të re, roli i gazetarëve dhe mediave është më i rëndësishmi që ka qenë ndonjëherë. Gazetari nuk është thjesht transmetues informacioni, por rojtari i parë i faktit. Ai duhet të verifikojë çdo pretendim, të dyshojë mbi çdo detaj, të mos bazohet në hamendje dhe të mos bjerë pre e ngutjes së publikimit. Etika e gazetarisë nuk është thjesht rregullim profesional por një mburojë kundër përhapjes së kaosit. Media nuk është vetëm biznes apo platformë komunikimi por institucion besimi. Kur media humbet integritetin, shoqëria humbet orientimin dhe nëse e vërteta nuk ka zë, atëherë e pavërteta bëhet e vetmja gjuhë që dëgjohet.Këtu lind detyrimi tjetër i medias, edukimi i publikut. Një publik i vetëdijshëm, kritik, i aftë të lexojë mes rreshtave, është arma më e fortë kundër manipulimit. Puna e medias nuk mbaron me publikimin e lajmit, ajo vazhdon me krijimin e kulturës së verifikimit, të saktësisë dhe të dialogut të bazuar në fakte. Në këtë proces, transparenca dhe përgjegjësia janë dy shtyllat kryesore. Një media që korrigjon gabimet e veta, që shpjegon burimet, që i jep lexuesit kontekst dhe jo vetëm emocion, është një media që kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të lirë.
E vërteta sot ka nevojë për mbrojtje. Ajo nuk humbet sepse zhduket por sepse mbytet nga zhurma e së pavërtetës. Në një botë ku gjithçka shpërndahet me shpejtësi, ku informacioni shpesh kalon pa filtrin e mendimit kritik, etika e së vërtetës është akti ynë më njerëzor. Është mënyra se si mbajmë të hapur dritën në një hapësirë të mbuluar nga hija e keqinformimit. Të kërkosh të vërtetën, të mos e pranosh informacionin në formën më të lehtë, të mos biesh pre e frikës apo sensacionit, është një akt lirie.Sepse aty ku bie e vërteta, fillojnë të bien institucionet, besimi dhe vetë kohezioni shoqëror. Por aty ku e vërteta ruhet, lind një shpresë që gjeneron besim dhe krijon themelet e një shoqërie që di të mendojë, të analizojë dhe të mos manipulohet. Në këtë epokë të informacionit të rremë, të vërtetën duhet ta kërkojmë, ta mbrojmë dhe ta ndajmë me përgjegjësi. Vetëm kështu, fjala dhe realiteti mund të ecin sërish në të njëjtin drejtim.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit