Erich Maria Remarque, Zëri që nuk heshti Sot, ne ditëlindjen e tij, kujtojmë shkrimtarin që deshi njeriun më shumë se çdo ideologji

Ndaje

Sot është 22 qershori, ditëlindja e Erich Maria Remarque, një nga shkrimtarët më të ndershëm dhe më tronditës të shekullit XX. Ai nuk ngriti kurrë flamuj, nuk thirri për lavdi, nuk kërkoi duartrokitje. Por ngriti zërin për njeriun, për të thjeshtin, për të plagosurin, për të mbijetuarin. Ai nuk shkruajti për të zbavitur. Shkruajti për të kujtuar.Shkruajti për të mos harruar se lufta nuk fillon me armët, por me heshtjen. Me indiferencën. Me mosbesimin tek njeriu. Dhe në këtë kuptim, veprat e tij janë më të gjalla se kurrë. Dhe sot do te ndalem tek “Tre Shokët “e Remarkut Një refleksion për Botën e Sotme, ku miqësia, dashuria dhe humbja mbeten të vetmet të vërteta. Sepse ka libra që nuk tregojnë një histori , tregojnë një ndjesi. Dhe ka autorë që nuk na mësojnë diçka të re por na kujtojnë gjithçka që po harrojmë. “ Tre Shokët” i Erich Maria Remarque është një nga ata libra. Një roman që nuk ka nevojë të ngrejë zërin, sepse zhurma e kohës që përshkruan flet vetë. Dhe kur e lexon sot, nuk ke si të mos ndalesh, të mos mendosh. Kjo histori nuk është thjesht Gjermania e para Luftës së Dytë Botërore. Është bota jonë. Është koha jonë. Dhe….ne një qytet gri, të përhumbur nga kriza, nga zhgënjimi, nga një e ardhme që nuk premton asgjë, jetojnë tre shokë, Robert, Otto dhe Gottfriedi. Nuk kanë asgjë për të ofruar botës, përveç njëri-tjetrit. Një miqësi që nuk është heroike, por e zakonshme dhe prandaj quhet e shenjtë. Ata nuk duan lavdi, nuk ndjekin ndonjë ideal të madh. Thjesht përpiqen të mbijetojnë me dinjitet në një botë që po fundoset. Edhe ne, sot, a nuk bëjmë të njëjtën gjë? Në një realitet ku vlerat zëvendësohen nga interesat, ku dashuria ndodh nëpër rrjete dhe miqësia matet me klikime, “Tre Shokët” na kujton se njeriu ka nevojë për pak, por të vërtetë, një shok që nuk të braktis, një njeri që të do pa kushte, një moment të ndershëm mes kaosit. Në zemër të romanit është Pati, një vajzë e brishtë, e sëmurë, e çuditshme dhe e dashur, si një lule që çel në rrënojat e një qyteti pa shpirt. Marrëdhënia mes saj dhe Robertit është e ndërtuar mbi heshtje, mbi mungesa, mbi fragmente shprese. Nuk është dashuri për të shpëtuar botën, por për të shpëtuar vetveten. A nuk ndodh kështu edhe sot? Ku çdo ndjenjë e vërtetë duket si një mrekulli në mes të një bote të lodhur, cinike dhe të shpejtë? Nuk është rastësi që Remark i vendos këta personazhe në një periudhë që duket sikur pret diçka të tmerrshme , ashtu si sot, ku shumë prej nesh jetojnë me ndjesinë e një krize që afrohet, qoftë morale, sociale, apo shpirtërore. E pikërisht këtu qëndron fuqia e romanit. Nuk të jep zgjidhje. Të jep kujtesë. Të kthen tek ajo që nuk duhet të humbasësh. Në fund, gjërat shuhen. Njëri vritet. Tjetri mbetet vetëm. Dashuria humbet. Por ajo që mbetet, ajo që ka kuptim, është ndjenja që nuk u shit, nuk u braktis, nuk u ul përballë frikës. Dhe ky është reflektimi që më shoqëron, ne një botë që ndryshon çdo ditë, ku të vërtetat rrëshqasin, dhe lidhjet treten sepse te jesh i vërtetë, është rebelim. Të duash, është akt guximi. Të mbetesh njeri, është formë qëndrese. “ Tre Shokët” nuk është thjesht një roman që lexohet , është një kujtim që mbetet. Sepse Remark shkroi për të vërtetat që duan guxim , jo për modën e ditës. Sepse na kujtoi se pa ndërgjegje, bota kthehet në ferr, edhe kur është me drita. Sepse na mësoi të mos heshtim përballë dhimbjes, dhe të mos pranojmë padrejtësinë si “të pashmangshme”. Sepse ai besonte se: “Bota nuk ndryshohet me armë, por me ndërgjegje. Dhe ndërgjegjja lind në atë çast të rrallë kur njeriu ndalet dhe pyet: A jam ende njeri?” Në këtë përvjetor të lindjes së tij, le të ndalemi e te reflektojme. Sepse Remark nuk na kërkoi të jemi heronj , na kërkoi të mos jemi indiferentë. Të mos jemi ata që shohin padrejtësinë dhe heshtin. Të mos jemi ata që harrojnë njerëzoren për hir të rehatisë. Në një botë që lëviz me shpejtësi, ai na kujtoi se ka momente kur duhet të ndalesh për të mos humbur veten. Gëzuar ditëlindjen, Remark! Ti nuk shkruajte për të festuar jetën , Ti shkruajte për ta shpëtuar atë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit