Emocione motivuese

Ndaje

Në kërkim të dritës së brendshme në një botë që nxiton ka çaste kur njeriu ndalet dhe pyet veten… Ku humbi qetësia?
Ku mbeti forca që s’ka nevojë të bërtasë për t’u dëgjuar?
Në një kohë ku fjala është bërë armë dhe shpejtësia mat vlerën, “Emocione motivuese” lind si një hapësirë për të rikthyer ritmin e shpirtit njerëzor, për të kujtuar se njeriu nuk matet me pushtet por me mënyrën si i përballon stuhitë e brendshme. Kjo rubrikë nuk flet për përsosmëri por për ecje. Për përpjekjen për t’u ngritur pa e humbur butësinë, për të qenë i fortë pa u bërë i ashpër, për të falur pa u dobësuar. Fjalët këtu nuk janë urdhra por pasqyra, për të parë më qartë veten, për të mësuar të heshtim me dinjitet dhe të flasim me dashuri. Sepse forca e vërtetë nuk qëndron tek ata që mallkojnë, gjykojnë apo e shesin dritën si dogmë por qëndron tek ata që zgjedhin të jenë të mirë edhe kur nuk ka kush i sheh. Tek ata që besojnë se një fjalë e mirë mund të ndryshojë ditën e dikujt, një buzëqeshje mund të shërojë, dhe një mendim i pastër mund të jetë lutja më e thellë. Në fund, “Emocione motivuese” është një udhëtim jo drejt përsosmërisë por drejt vetëdijes. Një ftesë për të ndalur, për të reflektuar, për të ndier. Për të kuptuar se njeriu është më shumë se ajo që i ndodh, është mënyra si e përjeton, si e fal, si ringrihet. Sepse, siç e ka thënë Mark Aureli “Drita nuk është në qiell, por në mënyrën si zgjedh ta shohësh botën.”

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit