Reflektim mbi qytetarinë, identitetin dhe përkohshmërinë e elegancës Nga një qytet me rrënjë të thella qytetarie, në një realitet ku klasi duket se rikthehet vetëm për pak orë .Vlora nuk është thjesht një qytet bregdetar. Ajo është vendi ku ndeshen kujtimet e një elegance të dikurshme me përditshmërinë shpesh të zhurmshme, të ngarkuar, të vrullshme e të lodhur. Dikur, Vlora ishte sinonim i qytetarisë. E kultivuar, mikpritëse, përzgjedhëse në shije e në sjellje. Kishte një ajër që nuk blihej me para, një frymë që vinte nga brenda njerëzve, nga mënyra si qëndronin, flisnin, dëgjonin dhe ruanin një kod etik të heshtur. Por a ekziston më kjo frymë? A kemi ende qytetarë të vërtetë, apo vetëm banorë të qytetit? Shumë nga qytetarët e vjetër janë larguar fizikisht apo simbolikisht. Disa janë në heshtje. Disa nuk dëgjohen më, sepse zhurma e të tjerëve është më e fortë. Ajo që ka mbetur është shpesh një zhvendosje e vlerave. Ku zëri i lartë zëvendëson dijen.Ku dukja zë vendin e përmbajtjes.Ku pushteti vetëemërohet si klas. Klasi nuk është as post, as pasuri, as ftesë në rresht të parë. Është kulturë e brendshme. Është mënyra si nuk e ngre zërin kur të tjerët bërtasin.Është mënyra si zgjedh të heshtësh kur ke të drejtë. Është aftësia për të parë thellë, pa e ngritur vetveten. Dhe kur mbrëmjet klasike bëhen pasqyrë, ne këtë panoramë shpesh të ngatërruar, mbrëmjet gala me muzikë klasike ndodhin si një mrekulli e papritur. Në ato pak orë, qyteti merr frymë ndryshe. Sallat mbushen me elegancë jo vetëm në veshje, por në sjellje. Për një moment, rikthehet ndjesia e qytetarisë së dikurshme.Gra që zgjedhin të vishen me stil e dinjitet, jo për të ekspozuar.Burra që flasin me ton të ulët, që respektojnë muzikën dhe njerëzit përreth.Të rinj që dëgjojnë me kureshtje dhe pa ndërprerje.Fjalë që nuk thuhen me zë të lartë, por me peshë. Ato orë janë një rikujtim i asaj çfarë kemi qenë dhe një pasqyrë e asaj që mund të jemi ende, nëse e duam me të vërtetë. Klasi nuk është status. Nuk jepet me dekret, nuk vendoset me rroga të larta apo me fuqi institucionale. Klasi është arti i të jetuarit me përmasë njerëzore, me masë në fjalë, me respekt për të tjerët, me përulësi. Në këtë kuptim, klasi është gjithnjë e më i rrallë. Dhe ajo që shumëkush po e quan “klas” në ditët tona, është vetëm një reflektim bosh i një fasade që zgjat sa zhurma e radhës në rrjete sociale. A po rikthejmë klasin apo vetëm po e imitojmë? Të organizosh një mbrëmje të bukur kulturore nuk mjafton. Klasi nuk është një moment, është një vazhdimësi. Nuk është një sallon koncertesh, por një edukim që duhet të fillojë në shtëpi, në shkollë, në rrugë, në fjalorin publik. Nëse duam ta rikthejmë me të vërtetë, duhet te edukojmë të rinjtë që klasi nuk është “brand”, por përmbajtje. Të përzgjedhim figurat publike që bartin vlera të vërteta, jo shfaqje. Të nxisim artin dhe kulturën jo për propagandë, por për formim. Të mësojmë sërish të dëgjojmë, të kuptojmë dhe të falim. Dhe pertej elegancës për disa orë… Është bukur të ndodhë një mbrëmje që mbush sallat me duartrokitje, që sjell tinguj që prekin shpirtin. Por Vlora meriton më shumë se disa orë bukurie. Ky qytet ka në ADN-në e tij vlerat e ndjeshmërisë, të bukurisë, të qytetarisë së vërtetë. E kemi humbur përkohësisht? Ndoshta. Por mund ta rigjejmë nëse ndalemi, reflektojmë dhe e kërkojmë thellë, jo në dukje. Klasi nuk është as zhurmë, as shfaqje, as dominim. Klasi është heshtja që mbush një sallë. Është prania që imponohet pa fjalë. Është përulësia që nuk kërkon duartrokitje. Vlora mund të jetë sërish qyteti i klasit të vërtetë. Por duhet të zgjedhim më shumë ndjeshmëri, më pak fasadë, më shumë përmbajtje, më pak zhurmë. Sepse klasi nuk është ajo që ke. Klasi është ajo që je …kur nuk ke nevojë të thuash asgjë. Sepse eleganca që zgjat sa një koncert është thjesht kujtim.
