E kush nuk e ka parë Bekim Fehmiun, të lidhur, të lodhur por krenar përballë Ciklopit, duke sfiduar një forcë që duket e pathyeshme dhe një urrejtje që shfaqet në çdo grimcë të shpirtit të tij? Dikur na dukej mit, histori e largët dhe e bukur me përbindësha dhe ishuj misteriozë, me gurë dhe shpella të errëta ku çdo hap mund të ishte i fundit.
Sot mitet kanë zbritur mes nesh, kanë marrë fytyrën e njerëzve që sundojnë, me një sy të vetëm, të verbër ndaj dhimbjes, të egër ndaj shpresës dhe të pangopur nga pushteti. Ciklopët nuk kanë më kthetra, nuk ulërijnë dhe nuk gllabërojnë mish. Ata firmosin, vendosin, shtypin dhe gëlltisin çdo mundësi për dinjitet dhe drejtësi që u del përpara. Në mit, Ciklopët nuk njohin ligj, turp apo të drejtën e të dobëtit dhe jetojnë në një botë ku çdo veprim mbështetet vetëm mbi fuqinë dhe urinë e tyre të verbër. Sot, ne jetojmë nën të njëjtin rregull të shpellës, nga papunësia që të heq çdo ndjenjë dinjiteti, varfëria që kthehet në mallkim të përhershëm, çmimet që rriten pa kufi dhe korrupsioni që nuk ka më frikë, sepse askush nuk e ndalon. Nepotizmi dhe lidhjet e gabuara janë ligji i shpellës moderne, ku nuk ka më rëndësi se sa i aftë je, sa ke punuar apo çfarë ëndrrash ke. Mjafton të jesh i “ i duhuri ” ose i lidhur me të duhurit, përndryshe mbetesh i gllabëruar nga Ciklopi i kohës sonë, i cili ka humbur çdo lidhje me shpirtin njerëzor dhe sheh vetëm përfitimin e tij. Ashtu si Polifemi që kishte një sy të vetëm dhe jetonte sipas rregullit të vet, edhe Ciklopët modernë janë të verbër ndaj çdo gjëje që nuk u shërben interesit personal. Një sy i vetëm mjafton për të sunduar por nuk mjafton kurrë për të kuptuar, dhe pikërisht kjo verbëri i shpie ata drejt rënies, gjithmonë dhe gjithmonë, sepse historia tregon se fuqia pa ndërgjegje dhe pa vizion është e përkohshme. Megjithatë ne, po bëjmë gabimin më të madh, atë që po mësohemi të jetojmë brenda shpellës, duke e quajtur padrejtësinë “realitet”, varfërinë “fat” dhe korrupsionin “normal” dhe çdo herë që heshtim përballë kësaj errësire, bëhemi bashkëfajtorë, duke i dhënë Ciklopit një forcë që nuk do ta kishte kurrë, nëse ne do të zgjedhnim të shihnim me dy sy dhe të vepronim me shpirt të hapur. Odisea nuk kërkoi mëshirë, nuk u përkul, nuk pranoi të jetonte si mish për Polifemin përkundrazi, ai e mundi gjigantin me zgjuarsi, me durim dhe mbi të gjitha me vetëdije, për të mos humbur vetveten. Kjo është goditja që na mungon sot, të mos ulim kokën para Ciklopëve modernë, të shohim me sy të hapur dhe të kujtojmë se errësira nuk mund të sundojë kurrë mbi ata që nuk dorëzohen. Sepse nëse harrojmë këtë mësim, nuk do të jetojmë vetëm tragjedinë e padrejtësisë por do të bëhemi pjesë e saj dhe Ciklopi, nuk do të jetë më vetëm në krye por brenda çdo zemre të heshtur që mësohet me shpellën.
Ndaje
