Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Ndaje

Një thirrje për ndërgjegjësim, respekt dhe dinjitet njerëzor. 3 Dhjetori nuk është thjesht një datë në kalendar por një kujtesë universale se shoqëria matet nga mënyra se si i trajton më të brishtët, më të pazëshmit, personat me aftësi të kufizuara. Kjo ditë nuk kërkon keqardhje por kuptim. Nuk kërkon dhembshuri të sipërfaqshme por dinjitet. Nuk kërkon heshtje por zë, hapësirë, të drejta. Personat me aftësi të kufizuara nuk kanë nevojë të kujtohen vetëm në një ditë por ata kanë nevojë që bota t’i shohë për atë që janë.Njerëz me pasione, me ëndrra, me talent, me nevoja reale që kërkojnë mbështetje të vazhdueshme. Janë fëmijë që duan të luajnë si gjithë të tjerët. Janë të rinjtë që duan të mësojnë, të krijojnë, të punojnë, të dashurojnë. Janë prindërit që kërkojnë të jenë pjesë e jetës sociale dhe jo të mbyllen në hije. Janë qytetarë që kanë të drejtën themelore për të jetuar me dinjitet dhe pavarësi. Dhe pikërisht sot duhet thënë me zë të qartë. Nuk mund të flasim për barazi të vërtetë pa garantuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Kjo çështje ka shumë më tepër rëndësi sesa debatet e stuhishme rreth projektligjeve të famshme, ku shpesh “barazia gjinore” përdoret si flamur politik dhe jo si zgjidhje reale. Barazia që ka rëndësi është ajo që preket me dorë duke filluar nga qasja në arsim,ndihma profesionale,infrastrukturë e përshtatur,punësim i drejtë,shërbime shëndetësore dinjitoze dhe respekt në çdo hap të jetës. Kur një nënë shtyn karrocën e fëmijës së saj në trotuare të paasfaltuara, kur një student i verbër kërkon një libër në alfabetin Braille dhe nuk e gjen,kur një i ri me aftësi të kufizuara refuzohet nga punësimi vetëm sepse “nuk u përshtatet”, atëherë ku është barazia? Ku është drejtësia? Ku është njeriu? Sot duhet të ndalemi dhe të reflektojmë jo për të bërë premtime të mëdha, por për të bërë gjëra të vogla që ndryshojnë jetë. Për të parë me një sy tjrtër, për të dëgjuar me zemër, për të kuptuar se bota e tyre nuk është e veçantë por pjesë e botës sonë. Dhe ajo që i mungon personave me aftësi të kufizuara nuk është aftësia por mbështetja e një shoqërie që ende po mëson si të jetë njerëzore. Në këtë ditë, le të vendosim të jemi më të ndërgjegjshëm, më të drejtë, më të vërtetë.
Dhe jo vetëm sot, por çdo ditë sepse barazia fillon atje ku njeriu respekton njeriun.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit