Ka pak forma arti që përfshijnë njeriun në tërësinë e tij si opera. Ajo nuk është thjesht një shfaqje por një bashkim i frymës, muzikës, fjalës dhe ndjenjës në një akt të vetëm të përjetshëm. E lindi Italia e shekullit XVI-të në kohën kur Firence po merrte frymë me aromën e rilindjes dhe një grup intelektualësh si Camerata Fiorentina besuan se muzika mund të ringjallte shpirtin e tragjedisë së lashtë greke. Nga kjo ide lindi një art që do të përçonte për shekuj me radhë emocionin njerëzor përmes zërit. Opera e parë që historia njeh, Dafne e Jacopo Perit (1597), ishte më shumë një eksperiment poetik sesa një spektakël, por ajo që pasoi L’Orfeo e Claudio Monteverdi (1607) u bë themeli mbi të cilin do të ngrihej një univers i tërë emocionesh. Që atëherë, opera nuk është ndalur kurrë së evoluari nga solemniteti i barokut tek bukuria vokale e bel canto-s, nga dramat e mëdha të Giuseppe Verdit tek realizmi i ndjeshëm i Giacomo Puccinit, nga romantizmi i Bizet tek tragjeditë e Wagnerit. Kjo është arsyeja pse 25 tetori nuk është një datë e rastësishme por dita e lindjes së dy kompozitorëve që e shenjuan këtë art, Georges Bizet dhe Johann Strauss II prandaj u zgjodh si dita botërore e operës. Që prej vitit 2019, organizata të mëdha ndërkombëtare si Opera Europa, Opera America dhe Ópera Latinoamérica e shënojnë këtë ditë për të kujtuar se opera nuk është relike muzeale por një art që frymon ende, në çdo sallë, në çdo notë, në çdo shpirt që kërkon ndjesi të vërteta. Sot, kur ritmi i jetës na mëson të konsumojmë gjithçka shpejt përfshirë edhe emocionet, opera qëndron si një formë rezistence. Ajo kërkon durim, vëmendje dhe shpirt të hapur. Nuk është për t’u parë me nxitim por për t’u përjetuar. Në një kohë ku muzika shpesh zbret në nivel efektesh, opera na kujton se zëri njerëzor është ende instrumenti më i fuqishëm i universit. Ai është në gjendje të përçojë dashurinë e La Bohème, dëshpërimin e Tosca-s, krenarinë e Aida-s, rebelimin e Carmen-it dhe mallin e pafund të çdo njeriu që kërkon kuptim përmes artit. Në këtë 25 tetor, të kujtojmë se opera nuk i përket vetëm elitave, ajo është për këdo që ka ndier ndonjëherë dashuri, humbje, shpresë apo dhimbje sepse thelbi i saj është njerëzor, zëri që ngrihet kundër heshtjes, muzika që përkthen ndjenjën dhe fjala që kthehet në frymë. Ndërsa teatrot e mëdha të botës ndriçojnë skenat për të festuar këtë ditë, ndoshta ia vlen të kujtojmë se, në fund, opera nuk ndodh vetëm në skenë por në shpirtin e çdo njeriu që zgjedh të dëgjojë me zemër.
