Disa orë me ata që ndriçojnë shpirtin

Ndaje

Ka njerëz që nuk të lodhin kurrë edhe kur koha kalon pa e ndier. Ka fytyra që kur i sheh, ke ndjesinë e mirëseardhjes edhe nëse janë aty prej vitesh. Ka zëra që të mbeten në kujtesë si tinguj fëmijërie, që të bëjnë të ndalesh, të dëgjosh, të kujtosh, të qeshësh. Dhe sot, së bashku me Vironin patëm kënaqësinë të kalojmë disa orë të çmuara me dy prej këtyre njerëzve, Xhilin dhe Mozen. Nuk ishte thjesht një takim, ishte një rikthim në një pjesë të shpirtit tim që ruhet me dashuri në kujtime të hershme kur isha fëmijë dhe shihja Xhilin të jepte lajmet në televizion. Për mua ai nuk ishte vetëm një folës i saktë dhe i qetë por një figurë magjepsëse, zëri i tij më dukej si një përrallë e rrjedhshme, pamja e tij imponuese, qëndrimi i tij burrëror. Një figurë që më dukej e paarritshme, e largët, e ndritur. Por nuk ishte edhe aq larg sepse Xhili është kushëriri im. Dhe ndoshta në atë kohë nuk e kuptoja mirë por nona Maria me atë autoritetin e saj plot krenari më thoshte shpesh, “ Kështu është i gjithë soji ynë, është gjenetike” Dhe unë qeshja me naivitetin e një fëmije të lumtur duke shpresuar tek e ardhmja ime. Ndërsa sot, vite më vonë, ulur përballë tij duke qeshur me shpirt e duke ndarë histori nga jeta, ndiej atë lidhje të vecantë që nuk ka nevojë për shumë fjalë , thjesht ekziston. Një ngrohtësi gjaku por mbi të gjitha një dashuri njerëzore që rrjedh natyrshëm. E në krah të tij Moza , ajo që mbart me vete dritën e një buzëqeshjeje që nuk shuhet. E ëmbël, e çiltër, e dashur deri në thellësi, Moza ka një mënyrë të vetën për të të bërë të ndihesh mirë me veten. Plot pasion për jetën, e mbushur me gëzim që nuk simulohet, ajo është nga ato gra që e kanë zemrën të hapur si dritare në një mëngjes pranvere. Sot festuam mes të qeshurave ditëlindjen e Xhilit dhe më shumë sesa një përvjetor, ishte një kremtim i jetës, i gjurmëve që lë një njeri me prani të butë por të fortë. Ishte një rikujtim i vlerave që nuk dalin kurrë nga moda, fisnikëria, mirësia, përkushtimi ndaj punës dhe një dashuri e heshtur për gjithçka që është e bukur dhe e drejtë. Dhe për mua, këto orë kaluan si një film i ngrohtë plot të qeshura të sinqerta, ndjenja të bukura që nuk mund të përshkruhen me fjalë. Ndaj them se jetën nuk e bëjnë të madhe ngjarjet por njerëzit me shpirt të bukur. Në një botë që vrapon pas madhështisë unë do zgjedh gjithmonë këto çaste. Të thjeshta por të mbushura me vlera. Të qeta por që të lënë gjurmë. Si takimet me njerëz të bukur që nuk kërkojnë të ndryshojnë botën mjafton që të mos e ndotin dhe të ndriçojnë pak zemrën tënde. Faleminderit Xhili e Moza për këto orë të bukura jete. Zoti ju bekoftë për shpirtin e mirë që i dhuroni të tjerëve pa e bërë me qëllim, thjesht duke qenë vetvetja.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit