Diplomë me mungesë në zemër

Ndaje

Ka diploma që nuk ngjiten në mur. Nuk mbahen me krenari në fotografi. Ka diploma që mbahen me lot. Në Gaza, një video e thjeshtë, pa muzikë, pa fjalë të mëdha, por me shumë zë të brendshëm, tregon fëmijë që diplomohen ndërkohë që përqafojnë mungesën. Ata marrin diplomën në dorë, valëvisin flamurin por me zemrën gërvishtur nga mungesa e prindërve të tyre , nënave dhe baballarëve që nuk janë më, që nuk arritën t’i shohin të diplomuar, të ditur, të guximshëm. Një fëmijë mes lotëve që rrjedhin pa pushim me një ngashërimë të brendshme thotë: “Ky moment ishte ëndrra e mamit po ajo nuk është më.” Dhe ne, që e shohim nga ekrani , nuk kemi fjalë , vetëm heshtje. Heshtje përpara dhimbjes që nuk ka vend në asnjë libër historie, në asnjë konferencë shtypi, në asnjë bilanc politikash. Në Gaza, lufta nuk vret vetëm trupin vret edhe të ardhmen. Shkatërron shkolla, ëndrra, ditarë, stilolapsa. Mbi 70% e shkollave janë shkatërruar. Qindra mësues dhe mijëra fëmijë nuk jetojnë më për të mësuar. Dhe prapë, ka ende fëmijë që diplomohen. Me mbeturina rreth këmbëve, por me qirinj në sy. Kjo nuk është vetëm dhimbje, është dhimbje që bën zhurmë. Është një britmë që thotë: “Unë jam ende këtu. Po më dëgjon?” Sepse të diplomohesh pa prindërit nuk është festë, është plagë. Një plagë që nuk mbyllet kurrë. Dhe megjithatë, ata fëmijë ecin përpara. Me kokën lart. Me zemrën e copëtuar. Por ecin. Ata nuk diplomohen vetëm për veten. Diplomohen për nënën që s’mundi t’i përqafojë, për babain që nuk i pret në fund të sallës me duart që dridhen nga emocionet. Diplomohen për një brez të tërë që refuzon të harrohet, refuzon të heshtë. Nëse sot ke mundësi të festosh diplomën e një fëmije, të përqafohesh me prindërit e tu, të bësh një foto familjare, bëje. Se diku tjetër, dikush tjetër është diplomuar me dhimbjen më të madhe në zemër, mungesën.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit