Déjà Vu i premtimeve dhe skepticizmi im

Ndaje

Ka fjalë që vijnë si jehonë. Nuk të godasin si të reja, nuk të zgjojnë kureshtje, thjesht të lodhin. Jo sepse janë qesharake, por sepse janë të lodhura, të stërpërdorura, të konsumuara më keq se çdo fjalë e urtë në fushatë elektorale. Fjalë që rikthehen çdo katër vjet si aktorë të një shfaqjeje të dështuar por që gjithsesi ngjiten sërish në skenë, si të mos kenë marrë vesh që publiku është lodhur. “Meritokraci”, “konkurs i hapur”, “të rinj të shkolluar”, “administratë moderne”, “shkëputje nga klientelizmi” etj etj si klishe të përkthyera nga ndonjë manual europian, të përsëritura me ton solemn, por pa asnjë lidhje me realitetin tonë lokal, ku më shumë rëndësi ka kush të thërret, sesa çfarë di. Unë nuk jam një dëgjuese e rastësishme. Kam qenë aty, dymbëdhjetë vite më parë, kur e njëjta skemë u prezantua si shpëtimi i madh i administratës publike. E mbaj mend atë entuziazëm të veshur me këmishë të bardhë, ato dosje të kujdesshme në duart e të rinjve të përgatitur, që prisnin me orë jashtë dyerve të institucioneve me idenë naive se dikush brenda do t’i vlerësonte për dijen. Çfarë ndodhi? Një hiç i madh me stampë zyrtare. U emëruan të zakonshmit, të përhershmit, ata me telefonata, me “mbështetje”, me të kaluar të padukshme dhe të ardhme të garantuar. Dhe jo, nuk ndodhi sepse sistemi gaboi. Ndodhi sepse sistemi funksionoi fiks siç është ndërtuar. Për t’i mbajtur jashtë ata që e kanë merituar me punë, dhe për t’i futur brenda ata që e kanë siguruar me lidhje. Shqipëria e ka një ligj të pashkruar, por të hekurt.“Më pak dije, më pak pyetje. Më shumë bindje, më shumë vend.” Dhe këtë nuk ta thotë njeri me zë, por ta kujton çdo akt emërimi. Nuk është rastësi që sa herë përmendet “meritokracia”, ndokush po përgatitet të fusë në zyrë nipin, kunatin, motrën, dhëndrin apo ndonjë “të ri premtues” që meriton të paktën një karrige, nëse jo edhe një zyrë me pamje nga bulevardi. Në këtë vend, kompetenca është pengesë. Dija është kërcënim. Integriteti është provokim. Në vend të tyre, preferohen njerëzit me një dhunti të vetme,aftësia për të tundur kokën nga mëngjesi në darkë. Dhe nëse ndonjë zë tjetër del nga rreshti, mjafton një “etiketë e lehtë” ,”jo e jona” dhe gjithçka mbaron. Sot, kur dëgjoj sërish premtime për “të rinjtë e ditur”, ndjej më shumë dhembshuri për ta sesa entuziazëm. Do i rreshtojnë dhe ata përballë ndonjë dere, do mbajnë dosjen si shpresë dhe do ikin me zhgënjimin që do t’u dhemb për vite. E njëjta skenë. E njëjta fabul. I njëjti fund. Tashmë nuk më ka mbetur asnjë iluzion. As më pak shpresë kur thua “ndoshta këtë herë…” Kam vetëm një bindje të fortë. Ky vend nuk e ka problem mungesën e potencialit por ka problem ekzistencën e tij. Dhe ndaj, e përjashton. Me metoda të rafinuara, por vrasëse. Mund të flasim sa të duam për konkurrencë, për vlerësim objektiv, për dritare të hapura. Në fund, dritarja mbyllet, perdja tërhiqet, dhe brenda mbeten të njëjtët fytyra,të njëjtët që shesin premtime, por blejnë bindje. Dhe ne nga jashtë? Rrotullojmë sytë, tundim kokën dhe themi me një nënqeshje të hollë. “Do rrojmë e do shohim… të njëjtën gjë përsëri.”

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit