Ka mëngjese kur drita hyn në dhomë si një ftesë e butë, thuajse me mirësjelljen e një mysafiri që troket para se të hyjë por unë shpesh s’jam gati ta pranoj. Dëshiroj të hap sytë ngadalë, si në ato skenat filmike ku gjithçka nis me ngrohtësi, me një shtrirje elegante, me një qetësi që mbarset në lëkurë. Por realiteti im, përveç të shtunës e të dielës, është krejt tjetër. Sepse më zgjon ajo,zilja e orës.
Ajo tringëllimë e ashpër që të pret mendimet përpara se t’i mblidhësh dhe të thotë se dita ka filluar pa ty. Detyrat presin,ora vrapon, bota të tërheq përdore edhe kur ti ende s’je gati të ecësh. Dhe unë çohem përgjumur, paksa e mërzitur, me atë rebelimin e vogël brenda vetes që pyet se pse duhet të nisë çdo gjë kaq zhurmshëm. Por pastaj më vjen në mend diçka që më nxjerr nga gjysmëgjumi se duhet të ngrihem më herët.Të përgatis kafen e ngrohtë.Të përgatis mëngjesin e çunave,atë mëngjes që u shijon vetëm kur u del nga dora e mamit. Sepse edhe kjo është një arsye e vogël dashurie që më bën të zgjohem, edhe kur qepallat peshojnë më shumë se dëshirat. E megjithatë, sado e përgjumur të jem, unë përgatis kafen. Ngrohtësia e filxhanit më mbështillet rreth gishtave, por shpirtit ende s’i vjen ajo shkëndija e gëzimit. Mamurrllëku i gjumit rri aty, si një re e butë që nuk ikën lehtë. Kafenë e shoh sikur ajo të dijë t’i japë përgjigje çdo mendimi. Por ajo vetëm avullon,e qetë dhe pa premtime. Dhe pikërisht në këtë qetësi të vakët të mëngjesit, vjen një mendim i thjeshtë, por i fuqishëm. Më duhet të buzëqesh. Jo se dita është e lehtë. Jo se gjithçka shkon siç dua. Por sepse buzëqeshja është i vetmi luks i lirë që mund t’ia dhuroj vetes në fillim të ditës.Një ftesë e vogël për dritë.Një premtim i butë se unë,do t’ia dal. Nëse nuk buzëqesh unë për veten time, kush do ta bëjë? Nëse nuk e nis ditën me një thërrime ëmbëlsie, dita ka për të më marrë me vrap dhe ankthi do të më presë në çdo cep. Ashtu siç thoshte Seneka: “Frika jonë është shpesh më e madhe se realiteti.” Prandaj, edhe kur jam gjysmë e drobitur, edhr kur flokët nuk binden, edhr kur ora më tund gishtin duke më kujtuar se jam me vonesë,edhe kur zemra do më shumë qetësi se koha që kam, unë zgjedh të buzëqesh. Buzëqeshja është betimi im i heshtur se dita ka një mundësi. Qoftë edhe të vogël.Një dritare butësie.Një fillim njerëzor. Ndoshta nuk është buzëqeshja më perfekte. Mbase pak e shtrembër, pak e vakët, pak e përgjumur por është e imja. Dhe ajo mjafton për t’i ndryshuar ritmin botës , qoftë edhe pak. Sepse ndonjëherë, mjafton një buzëqeshje e vetme, ajo e para, që t’i hapë ditës dritaren që i duhet. Pastaj vjen fundjava.Ato dy ditë të mrekullueshme ku buzëqeshja ime është më e bukura në botë. Sepse zilja hesht. Sepse koha zgjatet. Sepse unë zgjohem në paqe me veten. Por nesër? Nesër nis një javë e re. E hëna troket pa paralajmërim. Rikthehet rituali i zakonshëm, zhurma e zakonshme, ajo kafe që avullon më shumë se energjia ime. Rikthehen kilometrat e përditshmërisë, ritmet, detyrat, nxitimi. Por, pavarësisht të gjithave edhe e hëna meriton një buzëqeshje. Sepse buzëqeshja është ngjyra e parë që i hedh mbi javën time. E verdhë për shpresën. E kaltër për qetësinë. E roztë për ëmbëlsinë. E gjelbër për energjinë.
Dhe pak nga ai ari i brendshëm që secila prej nesh e ka por shpesh e harron. Cdo ditë buzëqeshni. Qofshin ditë pune a pushimi.
Sepse buzëqeshja nuk është betejë por dhuratë. Dhe ndërsa e shkruaj këtë, më vjen t’ju them edhe juve me shumë sinqeritet.
Buzëqeshni😊 Jo sepse gjithçka është perfekte por sepse buzëqeshja është mënyra më e thjeshtë për t’i thënë ditës se Unë jam këtu, duke prekur jetën, cdo ditë, dhe unë zgjedh dritën.😊
Ndaje
