APEIROTAN Tavrosi që ruan pragun e Janinës

Ndaje

Në hyrje të Janinës, aty ku rruga kombëtare nga Arta hapet si një portë e gjerë drejt qytetit, qëndron një figurë e heshtur por madhështore, demi monumental, tre metra i lartë, vepër e skulptorit janinotas Konstandinos Kazakos. I vendosur në rrethrrotullimin kryesor, ai të jep ndjesinë se nuk po hyn thjesht në një qytet, por në një histori që të pret. Tavrosi, sic i them unë në greqisht, nuk është një zgjedhje rastësore pasi në kulturën e Epirit ai ka qenë simbol që prej lashtësisë, i lidhur ngushtë me Zeusin e Dodonës, me ritualet e forcës, pjellorisë dhe mbrojtjes së tokës. Edhe në monedhat e vjetra, në mitet e rajonit dhe në ndërgjegjen kolektive të epirotëve, demi shfaqet si kujtesë e përhershme e lidhjes me natyrën, me fuqinë dhe me hyjnoren. Prandaj, mbishkrimi në bazament “ΑΠΕΙΡΩΤΑΝ” që do të thotë, e Epirotëve, nuk është thjesht një fjalë por një deklaratë identiteti, një rimarrje e drejtpërdrejtë nga monedhat e argjendta të Koinon ton Apeirotan (232–167 para krishtit ) bashkësisë politike që dikur i dha Epirit zërin e vet në botën e lashtë. Sot, e vendosur në hyrje të Janinës, kjo fjalë bëhet thirrje për kujtesën historike, një rikujtesë se identiteti nuk humbet kurrë. Por përtej historisë, ka edhe një dimension tjetër njerëzor, kofidencial dhe shumë të dashur. Monumenti nuk flet vetëm për Epirin e lashtë por edhe për Janinën e sotme. Sepse Janina është si ajo Zonjë fisnike që pret mysafirë edhe kur nuk janë ftuar. Mjafton të trokasësh në portën e saj të madhe dhe papritur e kupton se je i mirëpritur. Qyteti nuk të pyet nga vjen, të pret, të përqafon dhe të lë të hysh me dashuri. Dhe unë jam një prej këtyre mysafirëve që sa herë shkoj në Joaninën e dashur, kjo pamje madhështore, tavrosi i heshtur që ruan hyrjen më lë gjithmonë të njëjtën mbresë,ndjesinë se po kthehem dhe jo thjesht se po e vizitoj. Edhe në këto ditë të bukura të dhjetorit, në muajin më të ngrohtë shpirtërisht të vitit, Janina ishte po aq e dashur e po aq mikpritëse. Një qytet i bekuar me një klimë të ndërthurur mes mjegullës dhe të ftohtit të butë, atij të ftohti që nuk të bezdis, por të mbështjell si një mantel dimëror i qëndisur nga vetë Zoti. Në një epokë ku simbolet shpesh zëvendësohen nga trende kalimtare, ku qytetet rrezikojnë të humbasin fytyrën e tyre, ky tavro prej bronzi qëndron si kundërpeshë duke na kujtuar se çdo vend ka shpirtin e vet dhe se një qytet mbetet i gjallë vetëm kur di të kujtojë historinë që e ka formuar. Në aspektin kulturor, kjo vepër shënon ringritjen e artit publik në Janinë. Të vendosësh një monument me kaq ngarkesë simbolike në hyrje të një qyteti është akt vetëbesimi, përkatësie dhe vizioni, është një mënyrë për të thënë, ja kush jemi fhe në një kohë kur kultura shpesh lihet pas dore, ky gjest dëshmon se identiteti nuk është vetëm trashëgimi por edhe përgjegjësi dhe investim. Dhe kështu, tavrosi i bronxtë i Janinës rri aty i heshtur, i patundur, i fortë, me kokën drejt qytetit, me trupin e ngulur në tokën e Epirit duke ruajtur të kaluarën me krahët hapur drejt së ardhmes. Për udhëtarin, është një shenjë mirëseardhjeje. Për qytetin, një emblemë e përhershme. Për epirotin, një pasqyrë e vetvetes. Dhe për të gjithë ne vizitorët, një kujtesë e qartë se historia nuk jeton vetëm në libra por në simbolet që guxojmë t’i ngremë në hapësirën publike.

Promovo postimin

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit